Kreu Financa “100 euro shtesa për punëtor”

“100 euro shtesa për punëtor”

nga Kontabilisti

Nga sot është paralajmëruar hyrja në grevë e sektorit publik, saktësisht nga sot është paralajmëruar hyrja në grevë e çerdheve publike, ndërsa mësimdhënësit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale.

E derisa SBASHK-u ka bërë thirrje për grevë, në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se nuk është koha e kërcënimeve dhe bojkoteve.

Për grevën ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila tha se mësimdhënësit mos t’i nënshtrohen presionit të SBASHK-ut për grevë.

Kryetari i këshillit grevist të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar se deri në realizimin e kërkesave të tyre, në grevë do të përfshihet i gjithë sistemi arsimor.

Ai thekson se nuk dihet se kur do të përfundojë greva, derisa i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë qasjen dhe të realizojë kërkesat për mbështetje prej 100 euro për sektorin publik.

“Greva do të vazhdojë deri në zgjidhjen e kërkesave, është ardhur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Jo nga SBASHK-u ose ndonjë federatë, por nga BSPK dhe në pajtueshmëri edhe të SBASHK-ut dhe të federatave të tjera. Fillon të enjten dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të BSPK-së dhe federatave të tjera drejtuara qeverisë”, thekson Jasharaj.

Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së dhe Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut në një konferencë për media

Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se paralajmërime të tilla janë kërcënim dhe bojkot.

“Jo, nuk është kërcënim as bojkot dhe se mund të ketë grevë të përgjithshme e kemi paralajmëruar qeverinë përmes mediave dhe përmes shkresave tani e sa muaj. Kemi insistuar dhe jemi angazhuar për dialog. Qeveria Kurti asnjë milimetër nuk e ka bërë në këtë çështje, nuk ka pranuar dialog dhe as të merret me kërkesat tona. Greva ka ardhur si produkt i kësaj çështje, i mungesës së dialogut”, shton Jasharaj për KP.

“Nga përshtypjet e tyre që na i thënë është se SBASHK-u, sikur herëve të tjera do të jetë unik dhe i tërë sistemi arsimor do të jetë në grevë. Mirëpo, natyra e kësaj greve ndryshon tek arsimi, pasi që nga e enjtja në grevë do të kemi çerdhet e Kosovës, ndërsa mësimdhënësit do të jenë në vende të punës, por nuk do të kryejnë asnjë detyrë që do ta kryenin në rrethana normale”, përfundon ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme nga data 25 gusht për realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

E lidhur me grevat ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke thënë se nuk është koha e kërcënimeve dhe bojkoteve nga ana e sindikatave dhe punëtorëve.

Kryeministri Kurti në konferencën për media theksoi se është gabim që të mbahen grevat në kohën kur është proceduar Projektligji për pagat.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim. Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse… Disa prej tyre kanë udhëheqësi të re, duhet të ketë emancipim të ndërsjellë, ne jemi për dialog social pa kërcënime, pa ultimatum. Duam që të vazhdoj dialogu social, mirëpo nuk mendojmë që është koha e grevave dhe bojkoteve”, theksoi ai.

E specifikisht për grevën në arsim ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Nagavci, duke kërkuar që mos t’i nënshtrohen presionit të SBASHK-ut për grevë.

Ministrja Nagavci në një intervistë për RTK, fillimisht, tha se MASHT-i me kohë ka përfunduar përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor. Sipas saj, me një shtator nxënësit do të pajisen me librat shkollor dhe këtë vit nxënësit fillojnë me Abetaren e re të përbashkët, Kosovë Shqipëri.

Ministrja e Nagavci edhe njëherë ka ftuar mësimdhënësit që të fillojnë procesin mësimor më 1 shtator.

Sipas saj, mësimdhënësit janë trajtuar mirë më ligjin e ri për paga, i cili pritet të miratohet.

Mësimdhënësit. sipas saj, janë trajtuar më mirë se nga qeveritë paraprake, njëherë fton SBASHK-un që të heq dorë nga “interesat të ngushta”.

“Si ministri jemi të angazhuar të tejkalojmë disa probleme që kanë qenë prezentë në të kaluare. Kjo qeveri ka ndërmarr shumë hapa të rëndësishëm në tejkalimin e vështirësive të mësimdhënësve”, tha Nagavci.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm me mjetet e buxhetit. Mos të vazhdohet me avazin e vjetër për greva, besoj se as mësimdhënësit nuk pajtohen me kërcënimin për grevë”, tha ajo.

Sipas saj, Qeveria e Republikës së Kosovës po ballafaqohet me pasojat e veprimeve të qeverive të mëparme, por nuk do të lejohet as zhvatjen e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër, që bie ndesh me ligjin.

Ministrja Arbërie Nagavci, reagoi edhe lidhur me padinë që rreth 26 komuna të vendit kanë dorëzuar ndaj ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Padia ka të bëjë për shkak të dëmit që i janë shkaktuar nga zbatimi i kontratës kolektive në sektorin e arsimit.

Ajo tha se, prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive mes MASHTI dhe SBASHK, mirëpo, sipas saj, asnjëra prej tyre nuk është nënshkruar nga qeveria e tanishme.

“Prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive në mes të MASHTI dhe SBASHK, të tria në prag të procesit zgjedhor dhe asnjëra prej tyre nga qeverisja e LVV. Për asnjërën nga këto kontrata kolektive nuk është bërë vlerësimi i ndikimit financiar dhe asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë pos tjerash Nagavci. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni