Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se pako në tërësi, por edhe masat specifike të pakos kontribuojnë në arritjen e shumë synimeve, si punësimin dhe formalizimin e ekonomisë, përmirësimin e bruto produktit të brendshëm dhe ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal.
Sa i përket kritereve, afateve dhe planeve të operimit të masave të kësaj pakoje, Murati tha se do të procedohen sipas procedurave dhe vendimeve të veçanta nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Shuma totale e pakos së ringjalljes ekonomike kap vlerën prej 420 milionë euro dhe vlen të theksohet se në kuadër të pakos hynë edhe bonot e diasporës ku mjetet nga këto letra me vlerë do të përdoren për financimin e një pjese të pakos. Kjo pako përbëhet nga 5 grupe të masave, të cilat më pas ndahen në nën masa të cilat tashmë i kemi prezantuar. Kryesisht grupet janë: mbështetja e punësimit në vlerë prej 50 milionë euro, ringjallja e ekonomisë së prodhimit në vlerë prej 108 milionë euro, mbështetja për familjet në vlerë prej 50 milionë euro, mbështetja për shërbimet publike 112 euro si dhe investimi në infrastrukturë dhe ambient 100 milionë euro”, tha ai.