Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka thënë se do të japin grant në vlerë prej 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.
Këtë e ka bërë të ditur Von der Leyen në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Tani mund të keni nevojë për mbështetje financiare buxhetore kështu që ne do t’ju japim grant prej 75 milionë eurove për të mbështetur menjëherë bizneset dhe ekonomitë familjare. Do të përfundojmë të gjitha procedurat deri në fund të vitit ashtu që në janar të keni financimin në buxhetin tuaj. E kemi edhe një investim në grante, janë 500 milionë për rajonin, për mbështetje drejt pavarësisë energjetike dhe kjo është investimi në energji të ripërtëritshme” – u shpreh ajo.
Evropa aktualisht po përballet me një krizë energjetike si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.