Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave që të largoj kufizimin për përfitim të dyfishtë të paraparë në Pakon për Inflacionin.
Ministri i Finacave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në prezantimin e këtij vendimi tha se me largimin e këtij kufizimi, dikush mund të përfitoj në disa masa.
“Bëhet fjalë për një korrigjim i cili mundëson një trajtim më të drejt për sa i përket përfituesve nga masa nga Pakoja për Përballjen me Inflacionin. Me qenë se ka qenë një kriter kufizues që parasheh përfitimin dy herë, pra jo më shumë se një herë, nga masat për një individ dhe meqenëse kemi për masën për subvencionimin e energjisë elektrike, në këtë rast do të duhej të hiqet ky kufizim, pasi që dikush mund të jetë përfitues nga kjo masë apo tjetra”, tha Murati.
“Nga kjo i lejohet Ministrisë së Financave që me kritere shtesë të mos ketë abuzime të dyfishta nga masat tjera”, përfundoi ai. /Telegrafi/