Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar hapjen e aplikimit për Programin e Subvencionimit të Energjisë Elektrike për Konsumatorët e Cënueshëm për vitin 2024/2025.
Murati shtoi se rihapja e këtij aplikimi ka ardhur si rezultat i pilotimit të suksesshëm vitin e kaluar, ku mbi 61 mijë familje përfituan subvencione për faturat e energjisë.
Ministri theksoi se “të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente në Kosovë që plotësojnë kushtet e caktuara.”
Ai sqaroi se kriteret për t’u kualifikuar për subvencion janë të ardhura mesatare mujore prej më pak se 150 euro për anëtar dhe vlera e paluajtshmërive në pronësi të familjes duhet të jetë më pak se 100,000 euro.
“Ai që përfiton do të paguhet direkt në faturë gjatë 6 muajve të stinës së dimrit, nga tetori 2024 deri në mars 2025,” shtoi ai.
Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk do të tejkalojë 50 euro në muaj.
Aplikimi mund të bëhet në platformën eKosova, nën shërbimin “Grante dhe subvencione,” dhe do të jetë i hapur gjatë gjithë programit.
Murati inkurajoi familjet që të aplikojnë sa më shpejt.
“Në mënyrë që të përfitoni që nga muaji i parë, duhet të aplikoni më së largu deri më 31 tetor. Aplikimet që bëhen pas këtij afati mund të përfitojnë vetëm nga muaji pasues”, u shpreh ministri.
Përfundimisht, Murati theksoi se në llogaritjen e të ardhurave nuk përfshihen të ardhurat nga pensionet për aftësi të kufizuara, pensionet për familjet e dëshmorëve, dhe skemat e asistencës sociale, duke garantuar kështu që mbështetje të jetë e drejtuar atyre që kanë më shumë nevojë. /Telegrafi/