Kreu Ekonomi BQK-ja paralajmëron ndëshkim të bankave që po kërkojnë nga klientët pagesën e interesit gjatë pandemisë

BQK-ja paralajmëron ndëshkim të bankave që po kërkojnë nga klientët pagesën e interesit gjatë pandemisë

nga Flamur Berisha

Me të filluar zbatimi i masave qeveritare për të luftuar përhapjen e coronavirusit në vend shumë biznese u mbyllën, rrjedhimisht shumë qytetarë mbetën pa të hyra.

Për t’ua lehtësuar sado pak gjendjen qytetarëve të papunë dhe bizneseve njëkohësisht Qeveria vendosi për një Pako Emergjente Fiskale, përmes së cilës të dëmtuarit përfituan nga 170 euro pagë mujore nga shteti.

Por çështje problematike u konsiderua edhe kthimi i kësteve të kredive nëpër bankat komerciale në vend, si nga qytetarët, ashtu edhe nga bizneset.

Për këtë arsye Banka Qendrore e Kosovës, në dakordim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, gjithnjë duke u bazuar në situatën e krijuar në vend si rezultat i pandemisë me sëmundjen COVID-19, mori vendim që kredimarrësit që janë në pamundësi për pagesë të këstit të kredisë do të mundë të mos e paguajnë këstin e tyre nga data 16 mars 2020 deri më datën 30 prill 2020.

“Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale ose biznesore, të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë. Në rastet e aprovimit nga ana e bankës interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor. Me këtë rast, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në regjistrin e kredive”, thuhet në njoftimin e BQK-së të lëshuar më 16 mars.

Mirëpo, edhe përkundër këtij vendimi, disa kredimarrës kanë pranuar telefonata nga bankat e tyre, duke kërkuar nga ta që të paguajnë interesin e rregullt, gjë që bie ndesh me vendimin e lartcekur.

Në lidhje me këtë çështje drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për “Zërin” ka bërë të ditur se në institutin që ai drejton janë adresuar shumë qytetarë duke kërkuar ndihmë juridike.

Sipas Miftarajt, BQK-ja duhet të sigurohet nëse bankat janë duke i përmbushur obligimet e tyre në pajtim me premtimet publike.

“Përderisa sektori bankar në Kosovë është i pavarur dhe u nënshtrohet rregullave ligjore dhe mbikëqyrjes nga BQK-ja, sigurisht se BQK-ja në kuadër të kompetencave të saj dhe aq sa ia lejon ligji duhet të sigurohet që bankat të përmbushin obligimet e tyre në pajtim me premtimet publike gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Sikurse qytetarët duhet që të raportojnë shkelje të tilla në BQK dhe të mbrojnë interesat dhe të drejtat e tyre”, tha Miftaraj.

Në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas, e cila u është mundësuar qytetarëve përmes IKD-së gjatë pandemisë, Miftaraj thotë se vetëm përgjatë javës së kaluar dhjetëra qytetarë kanë paraqitur kërkesa për ndihmë juridike në lidhje me shkeljet e premtimeve nga ana e bankave në të cilat janë klientë.

“Qendra për Ndihmë Juridike e IKD-së vetëm në javën e kaluar ka pranuar me dhjetëra kërkesa për ndihmë juridike falas nga qytetarët lidhur me pretendimet e tyre për shkelje të premtimeve të disa bankave në Kosovë”, shtoi Miftaraj.

Ai thotë se paradoksi i kësaj pune është se shumë biznese të vogla me nga 2-3 punëtorë, të cilët kanë pranuar ndihmë nga Pakoja Emergjente e Qeverisë në shumën prej 170 eurove, nga ta, në disa raste, është kërkuar që të paguajnë interes deri në 500 euro.

“Të gjitha ankesat e qytetarëve lidhen me faktin se bankat janë duke kërkuar pagesën e interesit të rregullt për muajin mars, prill dhe maj. Paradoksi i tërë kësaj është fakti se shumë biznese të vogla që kanë dy ose tre punëtorë kanë pranuar ndihmë nga Pakoja Emergjente e Qeverisë në shumën prej 170 eurove për punëtorë, kurse së paku në disa raste kemi identifikuar kërkesa të bankës, ku ka kërkuar për të paguar interes të rregullt për tre muaj, që kalon shumën 500 euro, varësisht nga shuma e kredisë që kanë marrë”, është shprehur kreu i IKD-së.

Miftaraj thotë se ndihma e Qeverisë me nga 170 euro qytetarëve po u shkon për të paguar interesin bankar.

“Qeveria me ndihma modeste prej 170 eurove po stimulon bizneset e vogla, përderisa këtë ndihmë të njëjtit po duhet ta paguajnë për interes të rregullt ndaj bankave. Sigurisht se një qasje e tillë e përkeqëson gjendjen ekonomike dhe financiare, qoftë të qytetarëve dhe të bizneseve, por edhe e humb kuptimin e ndihmave që është duke ofruar shteti”, shtoi më tutje drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Siç shprehet më tej Ehat Miftaraj, pezullimi i kësteve të kredisë duke e aplikuar interesin nuk paraqet asnjë ndihmesë për qytetarët dhe bizneset që janë në vështirësi financiare.

“Pezullimi i këstit të kredisë, duke aplikuar interesin, nuk paraqet asnjë ndihmesë për qytetarët dhe bizneset që janë në vështirësi financiare dhe kjo për dy arsye. Fillimisht, qytetari ose biznesi e ka mundësinë që në momentin kur merr kredi të zgjasë afatin e kredisë dhe kjo të njëjtit i kushton në rritje të interesit, varësisht prej muajve të zgjatjes së këtij afati. Në këtë rast kemi situatën e njëjtë, pasi ky pezullim ka rritur shumën e interesit. Po ashtu mundësia e pezullimit të kredisë gjatë kohës sa e njëjta është duke u paguar është dhe ka qenë vazhdimisht mundësi e secilit klient, por duke paguar një shumë më të lartë të interesit.

Pra, në mënyrën sesi banka të caktuara janë duke vepruar në raport me klientët nuk kemi të bëjmë me ndihmë, e përcaktuar si në komunikatat e BQK-së, por me pezullim të rregullt të kredisë duke paguar interes më të lartë, e cila situatë paraqitet në një situatë normale dhe që nuk ka fare nevojë për asnjë njoftim nga BQK-ja”, ka potencuar Miftaraj.

Në anën tjetër, në lidhje me këtë çështje nga Banka Qendrore e Kosovës nuk kanë dhënë detaje se a është pezulluar në tërësi kthimi i kësteve të kredive për kredimarrësit.

“Duke u mbështetur në vendimet e Bordit të BQK-së, të Bordit Ekzekutiv të BQK-së dhe në dakordim me Shoqatën e Bankave të Kosovës, gjithnjë duke u bazuar në situatën e krijuar në vend si rezultat i pandemisë me virusin COVID-19, kredimarrësit që janë në pamundësi për pagesë të këstit të kredisë do të mundë të mos e paguajnë këstin e tyre nga data 16 mars 2020 deri më datën 30 prill 2020. Secili kredimarrës që është në pamundësi për pagesë të këstit në periudhën si më sipër duhet të bëjë kërkesë te kredidhënësi për një gjë të tillë përmes adresës elektronike ose përmes telefonit dhe kërkesat e tilla do të aprovohen. Në ndërkohë bankat, duke vlerësuar vazhdimin e masave kufizuese të vendosura dhe vështirësitë e raportuara nga huamarresit, kanë bërë kërkesë për shtyrjen e pezullimit të pagesave të kësteve për kredi për një afat prej tre muajsh (nga data 16 mars), gjë të cilën BQK-ja e ka aprovuar. Këstet e papaguara do të jenë subjekt i pagesës pas kalimit të situatës së krijuar”, kanë thënë nga zyra për informim e BQK-së.

Ndërkaq, në lidhje me atë se çfarë do të ndërmarrë BQK-ja për këto banka, të cilat po u bëjnë “presion” klientëve për pagesë të interesit, nga institucioni i vetëm përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare deklarojnë se pas kalimit të situatës me pandeminë do të ndërmerren të gjitha masat ndëshkuese ndaj tyre.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka informuar bankat lidhur me vendimin e përbashkët të BQK-së dhe të SHBK-së. Zbatimi i këtij vendimi të përbashkët do të jetë subjekt i ekzaminimit të BQK-së pas kalimit të situatës në të cilën ndodhemi dhe varësisht nga rezultatet e ekzaminimeve do të ndërmarrë masat administrative/ndëshkuese, të parapara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Kosova ka konfirmuar rastet e para me coronavirus më 13 mars. Nga ajo kohë e deri më sot institucionet shtetërore kanë ndërmarrë disa hapa për të luftuar këtë sëmundje, duke vendosur edhe masa për kufizim të lëvizjes, masa të cilat po vazhdojnë edhe sot, por me disa lehtësira.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni