Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se zbatimi i plotë i pakos emergjente ekonomike varet nga rishikimi i buxhetit të shtetit nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epokën e re”, Krasniqi ka thënë se janë duke i shikuar të gjitha mundësitë që të zbatohet kjo pako, nga e cila përftojnë edhe punëtorët e sektorit privat. “Jemi duke u munduar ta bëjmë këtë në bazë të ligjit, duke bërë edhe ndonjë lirim të mjeteve mbi bazën e buxhetit origjinal. Me fjalë të tjera, bashkërisht me ministrinë tonë jemi duke bërë përpjekje të lirojmë mjete. Do të vazhdojmë tapaguajmë edhe një pjesë të punëtorëve, por që të përfundojë e gjithë pakoja ne jemi duke pritur procesin e rishikimit të buxhetit të shtetit”, ka deklaruar Krasniqi. Ai ka bërë me dije se për shkak të mosrishikimit të buxhetit një pjesë e pagesave që dalin si obligime nga pakoja emergjente do të jenë të pamundura të bëhen. “Në rast se shtyhet rishikimi i buxhetit, do të mbesin një pjesë e masave pa u paguar. Një gjë e tillë do të vlejë deri në kohën e rishikimit të buxhetit dhe pas aprovimit të rishikimit të buxhetit nga Kuvendi ne si ministri do t’i përfundojmë të gjitha pagesat”, është shprehur Krasniqi.