Programi i Qeverisë së Kosovës më shumë ka një komponentë sociale sesa zhvillimore, thotë profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu. Ndërkohë, për kryetarin e Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, programi që është prezantuar gjatë javës së kaluar nga kryeministri i Albin Kurti, do të duhej të ishte më i detajuar.
Përveç tjerash, programi parasheh që të mos jetojë asnjë qytetar në varfëri ekstreme. Për realizimin e kësaj Qeveria ka në plan reformimin e skemave sociale dhe aktivizimin e fuqisë punëtore.
Në Raportin e fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian, vlerësohet se 18 për qind e popullsisë jeton nën vijën e varfërisë, me 45 euro në muaj dhe 5.1 për qind e popullsisë nën vijën e varfërisë ekstreme, me nën 1.90 dollar në ditë.
Në plan është paraparë edhe një lloj rimbursimi për familjet e varfra, por që nuk jepen detaje se si do të bëhet. Edhe rritja e pagës minimale në 250 euro nga 130 euro sa është aktualisht dhe ngritjes së pragut të pagës, që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale, është në plan të qeverisë së Kosovës.