Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se ka marrë vendim për vendosjen e moratoriumit për gurëthyesit e rinj dhe ato në procedurë për pëlqim mjedisor.
Ky vendim, sipas tij, do të vlejë për periudhën dy vjeçare (Qershor, 2021 – Qershor, 2023).
“Pjesë e këtij vendimi është themelimi i grupit punues ministror, i cili do të shqyrtoj ligjshmërinë e aktiviteteve të gurëthyesve, ndikimin e tyre në mjedis, si dhe masave që duhet të ndërmerren për rehabilitimin e tyre.”, ka thënë ministri Aliu.
Shumë operator ekonomik veprojnë pa i plotësuar kriteret dhe siguri të mjaftueshme në vendin e nxjerrjes së mineraleve ndërtimore, është ky njëri nga konkluzionet e raportit të Zyrës së Auditimit që ka të bëjë me procesin e licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore dhe industriale në territorin e Kosovës.
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk ka arritur të bëjë përgjegjës Operatorët Ekonomik që të bëjnë rikultivimin e zonave nga të cilat janë shfrytëzuar mineralet ndërtimore e industriale.
Konfiskimi i mjeteve nga sigurimi bankar nuk ka dhënë rezultat madje ka nxjerrë në pah dobësitë në organizimin e sistemit të KPMM-së./Media Ndërtimi.