Spitali i Podujevës do të bëhet!
Ka projekte që financohen nga të hyrat buxhetore, dhe ka projekte që financohen nga kreditë e buta.
Spitalet dhe kryesisht projektet në shëndetësi, janë investime që institucionet financiare ndërkombëtare i financojnë me shumë dëshirë, e kështu do të financohet edhe ndërtimi i spitalit të Podujevës.
Sa i përket buxhetimit, në mbledhjen e Qeverisë në të cilën u miratua buxheti, të premten e kaluar, gjatë prezantimit e theksova që përveç shumë politikave të reja që janë përfshirë në këtë buxhet, janë edhe disa risi tjera për sa i përket menaxhimit të financave publike.
Ndër tjera, është edhe ristrukturimi i mënyrës së buxhetimit të projekteve që pritet të financohen me kredi të buta, apo përmes klauzolës së investimeve, siç e njeh Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Për të gjitha projektet e reja që pritet të financohen me kredi sipas klauzolës së investimeve, kemi krijuar një program me shumën prej 50 milionë euro (40 kapitale dhe 10 mallra), e cila pastaj shpërndahet nëpër organizatat buxhetore sipas dinamikës së nënshkrimit dhe ratifikimit të projekteve.
Andaj në rastin e spitalit të Podujevës sapo të negociohet projekti me njërin nga institucionet financiare ndërkombëtare (Banka Botërore, EIB, BERZH, CEB, etj), shuma e nevojshme për ndërtimin e spitalit merret nga programi për financimin e projekteve potenciale, dhe i transferohet organizatës buxhetore implementuese.