Kreu Financa A do të ketë rritje të pagave në sektorin publik? Flet Ministri Murati

A do të ketë rritje të pagave në sektorin publik? Flet Ministri Murati

nga Kontabilisti

Qeveria e Kosovës është e obliguar të bëjë rishikimin e Ligjit të Buxhetit për vitin 2024, por deri më tani mbetet ende paqartë nëse do të ndodh një gjë e tillë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati deklaron se qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim të Ligjit për Buxhetin dhe rritjen e pagave.

Derisa, ish-ministri i Financave, Haki Shatri thekson se ka informacione që do të ketë rritje koeficientit të pagave, dhe parashikon se me rishikimin e buxhetit mund të bëhet kjo rritje e pagave për qëllime elektorale.

Megjithatë, këtë mundësi për rritje të pagave e ka kritikuar opozita, duke e quajtur si qëllim elektoral, ndonëse nga partia në pushtet thonë se është e natyrshme të ketë një propozim nga Ministria e Financave për rritjen e pagave.

KosovaPress ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati, nëse do të ketë rritje të koeficientit në sektorin publik dhe për vlerën e saj, mirëpo nuk ka konfirmuar nëse do të ketë rritje të pagave.

Murati thotë se për çdo gjë qytetarët do të informohen me kohë nga ky institucion.

“Për çdo gjë iu njoftojmë me kohë”, thotë shkurt Murati për KosovaPress.

Ndërsa, ish ministri i Financave, Haki Shatri thekson se nga paralajmërimet jo zyrtare pritet që koeficienti i pagave në sektorin publik të rritet nga 110 sa është aktualisht në 130 euro, derisa vlerëson se kjo rritje nuk është e madhe.

Mirëpo, ai konsideron se nëse ndodhë kjo rritje, është për shkak të votave.

“Qarkullojnë fjalë, por jo zyrtarisht që është në opsion dhe rritja e koeficientit nga 110 në 130 euro që pritet të ndryshohet me ndryshimin e buxhetit…Kjo rritje nuk është e madhe, dhe është dashtë të bëhet në fillim të vitit. Kërkesat e gjitha strukturave shpenzuese të buxhetit që financohen dhe që marrin paga nga buxheti kanë kërkuar e vlerësuar se koeficienti më pak se 130 për vitin buxhetor 2024 është i ulët, sepse kjo pagë është zhvlerësuar nga efekti i inflacionit, rritjes së çmimeve në dy vitet paraprake…

Është e nevojshme dhe e mirëseardhur, por në qoftë se bëhet kjo tash në vitin e fundit, dhe nëse bëhet në tremujorin fundit, kur qeveria e rrit koeficientin për të pas efekt te votuesit, por shuma e pagave që do të marrin gjatë vitit 2024 është tre herë më e vogël se të ishte bërë prej fillimi. Atëherë shihet se është veprim taktik për të joshur votuesit të votojnë këtë qeveri se po bejka edhe këto mrekulli, që po rritka pagat. Jam i sigurt se kjo qeveri do të rrisë koeficientin e pagave në fund të vitit, ndoshta në tre mujorin fundit, në mënyrë që edhe nuk duhet të shtojnë shumë para për fond të pagave. Por, mos të harrojmë që nuk janë vetëm pagat e sektorit publik, janë edhe pensionet”, thotë Shatri.

Ndërsa, se kjo rritje e pagave mund të ndodhë për fushatë elektorale e thonë nga opozita. Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala thotë se çdo gjë që thuhet tani është për shkak se po hyhet në periudhën zgjedhore.

“Qeveria është dashtë në fillim të mandatit të saj të bëjë rishikimin dhe rritjen e pagave, dhe çdo gjë që ndodhë tani e tutje, jemi në prag të zgjedhjeve, pra veç po hymë në përudhën zgjedhore, dhe do të trajtohet që është çështje e fushatës elektorale, dhe e lojës dhe e mashtrimit qytetar siç ka ndodhur në periudha të caktuara tjera kohore”, thotë Shala.

Sikur Shala mendon edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

“Sa i përket qeverisë, tani jemi mësuar me vendime ad-hoc, me vendime elektorale, me vendime që nuk kanë bazë dhe argument, sepse ne si Grup Parlamentar kemi kërkuar që koeficienti me kohë në miratimin e buxhetit për vitin 2023 të ngritët, por ja që çdo iniciativë që rrjedh edhe nëse është e mirë për qytetarët nga opozita dështon, sepse kjo mazhorancë e shikon interesin e vet, jo të qytetarëve, dhe mund të ndodh”, thotë Lekaj.

Në anën tjetër, reflektim në këtë drejtim presin edhe vetë pushteti.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja thotë se është e natyrshme që të pritet nga Ministria e Financave që të bëjë propozimin për rritjen e pagave në kuadër të ligjit.

“Në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, vlera e koeficientit duhet të reflektojë në një prej shkalleve të rritjes ekonomike, kështu që është e natyrshme që ne të presim nga Ministria që ta bëjë propozimin në kuadër të ligjit.

Nuk kam informacion nëse do të ketë gjatë rishikimit, mirëpo në kuadër të ligjit duhet të ketë…Ligji për buxhet duhet të finalizohet diku deri në fund të tetorit, dhe aty domosdoshmërish që pres një lloj reflektimi mbi bazën e trendëve të rritjes ekonomike, fjala është për vitin paraprak, mirëpo nuk kam ndonjë informacion zyrtar nëse ka plane tjera”, thotë Muja.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se në rrethanat normale të çdo shteti rritja e pagave bëhet në fillim të vitit fiskal, derisa nënvizon se kjo kërkesë nga OEK ka qenë e kamotshme për shkak të inflacionit.

“Në rrethanat normale të çdo shteti rritja e pagave bëhet në fillim të vitit fiskal, planifikohet shumë më herët dhe bëhet me fillim të vitit fiskal kur edhe aprovohet buxheti për vitin fiskal. Aty shihen në buxhet mundësitë buxhetore cilat janë, merren për bazë shumë indikator tjerë, ose parametrat siç është inflacioni, por edhe të tjerët dhe caktohet se sa ka me qenë përqindja e koeficientit.

Kërkesa jonë ka qenë e kamotshme që për shkak të inflacionit që kemi pas që të ketë rritje të pagave në sektorin publik, mirëpo nuk ka pas deri sot. Tani është paralajmëruar një rritje e pagave, dhe mbetet për t’u parë sa do të jetë përqindja e rritjes së këtyre pagave apo koeficientit dhe në çfarë periudhe kohore do të rritet”, thotë Rafuna.

Vitin e kaluar koeficienti i pagave në sektorin publik në bazë të Ligjit për buxhetin ka qenë 105 euro, derisa për këtë vit ky koeficient është 110 euro. /kp/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni