Kreu Financa ATK plotëson/ndryshon procedurat për pajisje me Vërtetim Tatimor

ATK plotëson/ndryshon procedurat për pajisje me Vërtetim Tatimor

nga Flamur Berisha

Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, i cili ka hyrë në fuqi nga data 28 janar 2024, ka nxjerr udhëzuesin me të cilin plotëson/ndryshon procedurat për pajisje me Vërtetim Tatimor.

Qëllimi i këtij Udhëzuesi është informimi i personave/tatimpaguesve për procedurat që duhet ndjekur për t’u pajisur me Vërtetim Tatimor, përgjegjësitë e zyrtarëve të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në Drejtoritë Rajonale për të lëshuar Vërtetimin Tatimor, si dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të Teknologjisë Informative në ATK për të mundësuar gjenerimin e Vërtetimit Tatimor.

Pajisja me Vërtetim Tatimor mund të bëhet në mënyrë elektronike dhe në mënyrë manuale.

Tatimpaguesi (biznesi) mund të pajiset me Vërtetim Tatimor online përmes Sistemit Elektronik EDI apo në zyrën përkatëse rajonale të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve. Ndërsa personi fizik jo-afarist (individi) mund të pajiset me Vërtetim Tatimor online përmes ueb faqes së ATK-së apo përmes linkut: https://evertetimi.atk-ks.org/ apo në cilëndo zyre rajonale më të afërt të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve.

Vërtetimi Tatimor për personin fizik afarist dhe personin juridik, lëshohet nga ATK vetëm:

• në rastet kur tatimpaguesi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer; dhe

• në rastet kur tatimpaguesi ka obligime të pashlyera, mirëpo, është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste.

Ndërsa, Vërtetimi Tatimor për personin fizik jo afarist (individin), lëshohet nga ATK vetëm:

• në rastet kur personi nuk ka ndonjë detyrim tatimor të pashlyer;

• në rastet kur personi ka obligime të pashlyera, mirëpo, është në marrëveshje për pagesë të atij borxhi me këste; dhe

• në rastet kur ATK nuk ka shënime për personin.

Ky Udhëzues hyn në fuqi në datën e nënshkrimit, ndërsa fillon të zbatohet nga data 01 shkurt 2024 dhe i njëjti shfuqizon “Udhëzuesin lidhur me procedurat e pajisjes me Vërtetim Tatimor” të datës 18 shtator 2023.

Udhëzuesin për procedurat e pajisjes me Vërtetim Tatimor mund ta gjeni në ueb faqen e ATK-së www.atk-ks.org në Menynë Për Tatimpaguesit – Udhëzues, Manuale dhe Rregullore.

Administrata Tatimore e Kosovës

Ju gjithashtu mund të pëlqeni