Kreu Financa ATK prezanton sherbimin e ri elektronik. Hyne ne fuqi nga 1 janari 2025

ATK prezanton sherbimin e ri elektronik. Hyne ne fuqi nga 1 janari 2025

nga Kontabilisti

ATK digjitalizoj Certifikatën e Rezidencës Tatimore

Të nderuar tatimpagues,

Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se më datë 01 janar 2025 do të publikoj Versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI, përmes të cilit do të ofrohet edhe një shërbim i ri elektronik, gjegjësisht pajisja me Certifikatë të Rezidencës Tatimore – CRT.

Certifikata e Rezidencës Tatimore është një dokument zyrtar që konfirmon vendbanimin e individit apo biznesit, për qëllime tatimore. Ky dokument është thelbësor për:

• Eliminimin e tatimit të dyfishtë për tatimpaguesit që realizojnë të hyra jashtë vendit;

• Mundësimin e lehtësirave tatimore në marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht me vendet me të cilat Kosova ka në zbatim Marrëveshje për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë (METD);

• Njohjen dhe respektimin e të drejtave dhe detyrimeve tatimore, të tatimpaguesve të Kosovës, në vendet e tjera.

Ky shërbim i ri elektronik ka për qëllim lehtësimin e procedurave për tatimpaguesit, duke ofruar një mënyrë më të shpejtë dhe efikase për t’u pajisur me Certifikatën e Rezidencës Tatimore.

Për të aplikuar për Certifikatën e Rezidencës Tatimore online, ju duhet t’i ndiqni hapat e mëposhtëm:

1. Hyni në ueb faqen zyrtare të ATK-së www.atk-ks.org;

2. Klikoni mbi butonin “EDI – Deklarimi Elektronik”;

3. Regjistrohuni si biznes apo si individ

4. Tek menyja “Shërbimet” zgjidhni “Formularët elektronik – Kërkesë për Certifikatë të Rezidencës”;

5. Plotësoni formularin e aplikimit për Certifikatë të Rezidencës Tatimore, duke dhënë informacionet e kërkuara;

6. Dërgoni aplikimin dhe prisni konfirmimin në emailin tuaj.

Aplikimi juaj do të analizohet nga zyrtarët e Divizionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në ATK, dhe nëse dokumentacioni është i kompletuar, ju do ta pranoni Certifikatën e Rezidencës Tatimore në adresën tuaj elektronike.

ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve!

Ju gjithashtu mund të pëlqeni