Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve, Petrit Kllokoqi, është shprehur i pakënaqur me Qeverinë në raport me lehtësimin e masave dhe mos mbajtjen e premtimeve në raport me ta.
Kllokoqi, përmes një shënimi në Facebook, thotë se të gjitha vendet e rajonit u hapën, por jo edhe Kosova.
I pari i gastronomëve ka kujtuar se në qeverisjen paraprake kanë mbajtur tri protesta, duke shtuar se nuk do t’i nënshtrohen as kësaj qeverie.
“Ne s’kemi ende vaksina, ne jemi ende të mbyllur, ne s’kemi plan për verën… Ne nuk iu nënshtruam as Qeverisë së kaluar, ku mbajtëm tri protesta, dhe nuk do t’i nënshtrohemi as kësaj Qeverie”, shkruan Kllokoqi. “Të dashur gastronom, fillimi me qeverisjen e re ishte i rëndë, i cili na mbylli për 12 ditë – Gastronomët pranuan. Për 7 ditë takime me ta, u dakorduam që do t’i respektojmë masat – Gastronomët respektuan. U betuan që në fillim të muajit maj do të na subvencionojnë për 15 ditët e para të muajit prill, ndërsa tash jemi më 10 maj, Gastronomët u harruan. U betuan që nëse ulen rastet orari do të ndryshojë dhe masat do të zbuten, ndërsa as në takim nuk na ftuan – Gastronomët u anashkaluan”.
“Maskat po hiqen, masat u hiqen, klubet e natës po hapen, dasmat po mbahen, këngëtarët kanë bërë datat në Shqipëri, rezervimet e sallave janë bërë … Ne s’kemi ende vaksina, ne jemi ende të mbyllur, ne s’kemi plan për verën… Ne nuk iu nënshtruam as Qeverisë së kaluar, ku mbajtëm tri protesta, dhe nuk do t’i nënshtrohemi as kësaj Qeverie”, ka shkruar ndër të tjera Kllokoqi.