Kreu Biznes Informata të përgjithshme për tatimet në Kosovë

Informata të përgjithshme për tatimet në Kosovë

nga Flamur Berisha

Përgjegjësi e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), si Agjencion Ekzekutiv me Autonomi të plotë, është që të administrojë zbatueshmërinë e çdo lloji të tatimit të aplikuar me legjislacion tatimor në Republikën e Kosovës.

Misioni i ATK-së është ngritja e nivelit më të lartë të përmbushjes vullnetare në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, si dhe ofrimi i shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive për tatimpagues.

ATK, është përgjegjëse për inkasimin e tatimeve qendrore qeveritare ku bëjnë pjesë:

  • Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSh) në furnizimet e brendshme;
  • Tatimi në të Ardhurat Personale;
  • Tatimi në të Ardhurat e Korporatave;
  • Tatimet e mbajtura në burim;
  • Kontributet Pensionale;
  • Dhënien e licencave për lojërat e fatit.

Ky dokument bazohet në Ligjet dhe Udhëzimet relevante në fuqi, si:


Të gjitha Ligjet dhe Udhëzimet e lartshënuara, mund t’i gjeni në Gazetën Zyrtare të Kosovës, në linkun: http://gzk.rks-gov.net/default.aspx

Normat tatimore në Kosovë:


Kërkesat e përmbushjes së detyrimeve tatimore

Personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, në bazë të legjislacionit tatimor, janë të obliguar të:

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar

Për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh), person i tatueshëm është secili person i cili është, ose kërkohet që të regjistrohet për TVSh, dhe i cili në mënyrë të pavarur zhvillon një aktivitet ekonomik në mënyrë të rregullt apo jo të rregullt, pavarësisht nga qëllimi ose rezultati i atij aktiviteti ekonomik.

Çdo person që i përmbush të gjitha kushtet e përkufizimit mbi personin e tatueshëm, kërkohet që të regjistrohet për TVSh, nëse brenda vitit kalendarik tejkalon qarkullimin prej tridhjetëmijë euro (30.000€).

TVSh është e përshkallëzuar në dy norma, atë standarde prej 18% dhe normën e reduktuar prej 8%, të vlerës së furnizimeve të importuara dhe furnizimeve të brendshme të tatueshme, me përjashtim të furnizimeve të liruara dhe furnizimeve të trajtuara si eksporte.

Një transaksion është objekt i tatuarjes për TVSh në Kosovë, nëse është furnizim malli ose furnizim shërbimi, i kryer kundrejt pagesës, brenda territorit të Kosovës, nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë. Gjithashtu, importi i mallrave është objekt i tatuarjes për TVSh.

Tatimi në të Ardhura Personale

Tatimi në të Ardhura Personale aplikohet në të gjitha të ardhurat që pranon një individ të cilat janë të tatueshme në bazë të Ligjit për Tatim në të Ardhura Personale. Tatimpagues janë personat fizikë rezident dhe jo rezident, ndërmarrja personale afariste, ortakëritë dhe shoqëritë, të cilët pranojnë ose krijojnë të ardhura bruto nga çfarëdo burimi, duke përfshirë pagën, veprimtarinë afariste, qiranë, fitoret në lotari, interesat, fitimet kapitale, shfrytëzimin e pasurisë së paprekshme, si dhe çdo të ardhur tjetër që rritë vlerën neto të tatimpaguesit.

Objekt i tatimit për tatimpaguesin rezident janë të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë dhe jashtë Kosovës, ndërsa për tatimpaguesin jo rezident janë vetëm të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë.

Të ardhura të tatueshme për një periudhë tatimore konsiderohet ndryshimi në mes të të ardhurave bruto të pranuara apo të rrjedhura gjatë një periudhe tatimore dhe zbritjeve të lejuara në lidhje me ato të ardhura bruto.

Norma tatimore për Tatim në të Ardhura Personale:

Norma tatimoreTë ardhurat mujore në €Të ardhurat vjetore në €
0%0 deri 800 deri 960
4%80 deri 250960 deri 3000
8%250 deri 4503000 deri 5400
10%450 e tutje5,400 e tutje

Tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore mbi 50,000€ dhe ata të cilët kanë përzgjedhur vullnetarisht të tatohen në të ardhura reale, tatohen sipas shkallëve tatimore të lartcekura, ndërsa tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore prej 50,000€ apo më pak, tatohen në të ardhurat bruto me 3% (për veprimtaritë: tregti, transport, bujqësi dhe veprimtari të ngjashme komerciale) apo 9% (për veprimtaritë: shërbyese,  profesionale, të zanatit, të argëtimit dhe të ngjashme). Përveç tatimit, këta tatimpagues (të vetëpunësuar) obligohen të paguajnë edhe Kontributin Pensional.

Pagat e të punësuarve nga punëdhënësi primar tatohen sipas shkallëve tatimore (0%; 4%; 8% dhe 10%), ndërsa pagat e të punësuarve nga punëdhënësi sekondar tatohen me 10%.

Secili i punësuar, shtetas i Kosovës obligohet që nga paga bruto të paguaj 5% në emër të Kontributit Pensional. Po ashtu, punëdhënësi kryesor dhe ai sekondar për të punësuarit të cilët janë shtetas të Kosovës, kontribuon me 5% mbi pagën bruto të të punësuarit në emër të kontributit pensional.

Tatimi në të Ardhurat e Korporatave

Tatimi në të Ardhurat e Korporatave aplikohet në të gjitha të ardhurat e tatueshme të korporatave. Tatimpagues konsiderohen: Korporata apo ndonjë ndërmarrje tjetër afariste që ka statusin e personit juridik sipas ligjit në fuqi në Kosovë; Shoqëria tregtare që vepron me pasuri në pronësi shoqërore ose publike; Organizata e regjistruar si organizatë jo-qeveritare; Personi jo rezident me njësi të përhershme në Kosovë.

Objekt i tatimit për tatimpaguesin rezident janë të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë dhe jashtë Kosovës, ndërsa për tatimpaguesin jo rezident janë vetëm të ardhurat e tatueshme me burim në Kosovë.

Tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore mbi 50,000€ dhe ata të cilët kanë përzgjedhur vullnetarisht të tatohen në të ardhura reale, tatohen me normën 10%, ndërsa tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore prej 50,000€ apo më pak, tatohen në të ardhurat bruto me 3% (për veprimtaritë: tregti, transport, bujqësi dhe veprimtari të ngjashme komerciale) apo 9% (për veprimtaritë: shërbyese,  profesionale, të zanatit, të argëtimit dhe të ngjashme).

Për tatimpaguesit me të ardhura bruto vjetore mbi 50,000€ dhe ata të cilët kanë përzgjedhur vullnetarisht të tatohen në të ardhura reale, të ardhura të tatueshme për një periudhë tatimore konsiderohet ndryshimi në mes të të ardhurave bruto të pranuara apo të rrjedhura gjatë një periudhe tatimore dhe zbritjeve të lejuara në lidhje me ato të ardhura bruto.

Afatet e deklarimit dhe pagesës së tatimeve:

Ju gjithashtu mund të pëlqeni