Në kuadër të masave për mbështetjen e punësimit dhe formalizimit të punëtorëve, kemi vendosur që të mbështesim të gjithë të punësuarit e rinj, që janë të deklaruar në ATK prej periudhër deklaruese korrik 2021 e tutje dhe që kanë kontrata të nënshkruara.
Për këtë, kemi përgatitur edhe forma standarde të kontratave të punës të cilat mund të përdoren nga të gjithë. Format e kontratave do të mund t’i gjeni në webfaqe të MFPT, dhe ditëve në vijim do të ofrohen edhe kopje fizike nëpër zyret rajonale të punësimit.
Mbështetja do të jetë si vijon:
- Për të gjithë ata që kualifikohen sipas Masës 1.1 (këtu mund të shihni nëse kualifikoheni: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim ) dhe punësohen, mbështetja do të jetë 3 muaj nga 100 euro.
- Për të gjithë të tjerët (Masa 1.2 dhe 1.3) që janë punësuar/deklaruar prej periudhës tatimore korrik 2021 e tutje (e që nuk kanë qenë të punësuar/deklaruar në periudhën qershor 2021) mbështetja do të jetë 3 muaj nga 50 euro.
Aplikimi për subvencionim për punëdhënësit tashmë është i hapur tek platforma EDI në ATK, kurse aplikimi për punëmarrësit do të hapet ditëve në vijim.
Aplikimi do të jetë i hapur deri më 15 tetor, gjë që përbën një mundësi të mirë për të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit të përfitojnë nga këto masa.