Mbledhja e sotme, e 62-ta e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkoi me 11 mujorin e marrjes së mandatit qeverisës. Nga 23 marsi 2021, kur morëm detyrën, kemi punuar për të përmbushur programin qeverisës, duke u qëndruar besnik synimeve tona, për të drejtat dhe interesin e qytetarëve dhe të vendit.
Reformimin e prokurimit publik e kemi theksuar si ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike, të kthimit të besimit në institucione, si dhe rritjes së perspektivës socio-ekonomike e të mirëqenies së qytetarëve. Andaj sot, i propozuam Kuvendit të Republikës së Kosovës, kandidatët për dy anëtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në vazhdën e jetësimit të zotimeve tona, ndamë 10 milionë euro për rritjen e rezervave shtetërore, e 3.5 milionë euro për mbështetjen në punësim dhe ndihma sociale.
Me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës e Republikës së Shqipërisë, dhe ofrimin e mbrojtjes më efektive të të drejtave dhe interesave të qytetarëve në të dy anët e kufirit, dërguam në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile dhe Tregtare.
Qeveria, përpos obligimit ligjor, e ka edhe vullnetin e angazhimin për edukim sa më gjithpërfshirës të nxënësve të shkollave tona. Sot ndamë 78 mijë euro për mbështetjen e autorëve të teksteve shkollore për komunitetit boshnjak dhe turk, për të gjithë nxënësit nga klasa e 1-rë e deri në të 9-tën.
Themeluam Grupin Punues ndërinstitucional që do të bëjë rishikimin e Planit të Reagimit Kombëtar të Republikës së Kosovës në bashkërendim të plotë me institucionet vendore dhe me mbështetje nga Zyra për Bashkëpunim të Mbrojtjes e Ambasadës së ShBA-ve në Kosovë.
Për të mundësuar pavarësinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës në funksionimin e gjithmbarshëm të tij, dërguam në Kuvend ligjin për këtë shërbim. Po ashtu, për rehabilitimin dhe ri-integrimin shoqëror të personave nën mbikëqyrje, parandalimin e veprave penale e uljen e rrezikut të përsëritjes së tyre, si dhe mbrojtjen e interesit publik, dërguam në kuvend Projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës. E për realizimin e risocializimit dhe riedukimit të personave të burgosur, dërguam në Kuvend Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. te