Kreu Financa Kosova perfiton 882 milion euro nga BE. Keshtu do te perdoren

Kosova perfiton 882 milion euro nga BE. Keshtu do te perdoren

nga Kontabilisti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova do të jetë mbështetës i palëkundur dhe anëtar shumë aktiv i Procesit të Berlinit.

Kurti teksa tregoi për marrëveshjet që u nënshkruan në kuadër të këtij procesi tha se Procesi i Berlinit avokon hapur e pareshtur për bashkëpunim më të madh rajonal të bazuar në vlerat dhe rregullat e BE-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Javën e kaluar ishim në Samitin e Procesit të Berlinit. Republika e Kosovës është angazhuar shumë për Procesin e Berlinit në mënyrë që atë ta kurorëzojmë suksesshëm siç edhe bëmë. Doli të jetë një proces i suksesshëm i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me Bashkimin Evropian. Në Berlin kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samite të këtij procesi, ndërkohë që paralajmëruam vendimin për ti dhënë fund pritjes gati 2 vjeçare që Bosnja të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar po ashtu në Berlin, në nëntor 2022, duke u mundësuar qytetarëve të Bosnjës të udhëtojnë me letërnjoftime drejt Kosovës nga janari 2025”, tha Kurti.

Ai tregoi se nga plani i ri i veprimit që tashmë është shtyllë për planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, Kosova përfiton deri në 882.6 milionë euro.

“Në Berlin nënshkruam edhe deklaratën për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-28 dhe miratuam planin e ri të veprimit që tashmë është shtyllë për planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, nga i cili Kosova përfiton deri në 882.6 milionë euro. Zbatimi i këtyre masave mund të sjellë një rritje prej 10 përqind në ekonomitë e shteteve të rajonit. Më tej në Republikën Federale të Gjermanisë miratuam edhe tri deklarata: Deklaratën e përbashkët për ritheksimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, atë mbi standardet e verifikimit të investimeve të huaja direkte në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe deklaratën mbi qasjen në infrastrukturat e hulumtimit, inovacionit dhe bashkëpunimit. Kemi qenë dhe do të jemi mbështetës i palëkundur i Procesit të Berlinit dhe anëtar fort aktiv që afirmon e avokon hapur e parreshtur për bashkëpunim më të madh rajonal të bazuar në vlerat dhe rregullat e BE-së. Në fundjavë do ta mirëpresim dhe kryetaren e KE-së për të diskutuar planin e zbatimit të reformave dhe rritjes dhe për përfitimet e qytetarëve tanë”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë. /Reporteri.net/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni