Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar për vendimet që janë marrë sot në mbledhjen e 220-të të Qeverisë së Kosovës.
Kurti përmes një shkrimi në Facebook thotë se gjithsej janë marrë 19 vendimet.
Më poshtë mund t’i shihni postimin e Kurtit dhe vendimet që janë marrë në këtë mbledhje:
19 vendime në mbledhjen e 220-të të qeverisë sonë dhe qeverisjes së mirë.
E filluam me miratimin e projektligjit të finalizuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. U desh të presim 17 muaj që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë lëndën e dorëzuar nga opozita parlamentare, por kjo nuk e ka zbehur aspak bindjen tonë që ky projektligj është i duhur dhe i nevojshëm dhe që Byroja do të bëhet.
Një prej vendimeve me rëndësi të veçantë ishte Programi Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse të Republikës së Kosovës, përmes së cilit synojmë një shoqëri të përgatitur, edukuar dhe të gatshme të reagojë dhe rimëkëmbet në rast të fatkeqësive natyrore apo sulmeve të armatosura. Atë e kemi hartuar duke u bazuar në sisteme të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s dhe mundëson që institucionet qendrore dhe lokale dhe veçanërisht qytetarët e Republikës dhe organizatat e ndryshme joqeveritare të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit tonë.
Pastaj vijuam edhe me pikat tjera të rendit të ditës, ndër to:
-Ndarjen e 240 mijë eurove për mbulimin e shpenzimeve për pajisje me tekste shkollore të 3708 nxënësve shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc;
-Miratimin e Planit për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore Ibër, Lepenc dhe Moravë e Binçës;
-Aprovimin e Koncept-dokumentit për Ndihmë Juridike Falas;
-Miratimin e Programit për Racionalizimin e Agjencive, i cili përbën valën e tretë të racionalizimit në kuadër të reformës së administratës publike dhe Agjendës Evropiane të Reformave; dhe
-Ofrimin e mbrojtjes së përkohshme për 15 shtetas afganë dhe anëtarëve të familjeve të tyre të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.