Kreu Ekonomi Kurti tregon se sa do ta rrisë Pagën minimale në Kosovë

Kurti tregon se sa do ta rrisë Pagën minimale në Kosovë

nga Flamur Berisha

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kryeministri Albin Kurti, ka premtuar se pagën minimale në vend do ta bëjë 250 euro, duke thënë se do përjashtojë nga tatimi në të ardhurat pensionale.

Kurti ka thënë se do krijojë mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe do bëjë përafrimin e tregut të punës me arsimin profesional.

“Ne kemi fituar duke premtuar punësim e drejtësi, tani do të punojmë për t’i sjellur të dyja këto sidomos në tregun e punës. Do të krijojmë kushte që mundësojnë dhe lehtësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional. Do të punojmë me prioritet për punësimin e grave, të rinjve dhe komuniteteve joshumicë. Do të marrim masa që sigurojnë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeministri Kurti ka premtuar pesëfishimin e numrin të inspektorëve në vende të punës.

“Qeveria jonë do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve. Do të sigurohemi që zhvillimi i ekonomisë dhe riindustrilizimi i vendit të shkojnë paralel me përmirësimin e kushteve për organizim sindikal të punëtorëve, sidomos në sektorin privat ku një gjë e tillë është tejet e nevojshme. Do të punojmë bashkë që punëtorëve t’u mundësohet punësimi, e punës së tyre virtyti e dinjiteti”, ka shkruar tutje.

Ai ka kujtuar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, si “moment reflektimi për të shkuarën dhe ritheksim të vizionit për të ardhmen”

“Historia e punës te ne, ashtu si përgjithësisht në botë, lidhet ngushtë me padrejtësi, pengesa, shtypje, e shfrytëzim. Sistemi socialist i paraluftës herë na shfrytëzonte, e herë na privonte tërësisht nga e drejta për punë. Sistemi neoliberal i pasluftës në njërën anë na shpronësoi e deindustrializoi, e në anën tjetër krijoi çarje mes arsimit e punës duke prodhuar studentë të papunësueshëm e punë për të cilat nuk ka punëtorë të përgatitur”, ka shkruar tutje ai.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni