Punëtorëve teknikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) u janë rritur pagat nga 275 euro sa kanë pasur, në 402 euro.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se çmojnë rritjen e pagës, por që mbetet të shihet nëse punëtorët do të pranojnë këtë pagë, pasi ata kanë kërkuar 450 euro.
“Sot do të takojmë punëtorët e QKUK-së, dhe do të shohim a do të pranojnë këtë pagë a jo, dhe pastaj do të dalim me një version përfundimtar. Ne në një farë forme e çmojmë ngritjen nga 275 në 402, por punëtorët janë ata që thonë do ta pranojmë apo jo”, theksoi ai.
Sipas Azemit, paga nën 600 euro lë mangësi në jetën e punëtorëve.
“Ne mendojmë që çka mbetet nën 600 euro, lë mangësi diçka në jetë, pra në punën e përditshme të këtyre punëtorëve.
“E çmojmë që Ministria e Shëndetësisë ka lëvizur pozitivisht dhe prej asaj që ne kemi kërkuar 450, ata kanë ofruar 402, dhe kur kemi qenë në 270 mendoj që është një lëvizje solide”, është shprehur ai.
Ndryshe, në njoftimin e bërë nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat, thuhej se kërkesa e tyre ka qenë që paga të rritet 450 euro.
“Pas shumë presioneve, protestave, dhe grevave, që bëmë në QKUK, tani e tutje pagat e punëtorëve teknik nuk do të jenë më 275 euro, ato do të jenë 402 me tenderin e ri i cili veç është publikuar, se a do ta pranojnë këtë pagë këta punëtor ne do të konsultohemi me ta, dhe do të dalim me qëndrim të qartë, mundë te themi se nuk oshtë ajo që e kemi kërkuar ne., Por është për tu çmuar pasi që kërkesa jonë ka qenë 450, dhe na janë ofrua 402″, bëhet e ditur në njoftim. /Telegrafi/