Sot në Komisionin për Buxhet është miratuar në parim Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës, përmes të cilës mundësohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve nga Trusti. Ky Projektligj do të dërgohet për shqyrtim edhe në Kuvendin e Kosovës.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, përkrah i nismës për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve.
Haxhiu tha se nisma për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës në Komisionin për Buxhet ka kaluar me 4 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenime.
“Shpresojmë që kjo frymë pozitive të vazhdojë edhe në seancën e Kuvendit kur kjo pikë të jetë në rend dite”, tha ai.
Ndryshe, se nisma ka kaluar në Kuvend e ka pohuar edhe Adnan Jashari, organizator i një peticioni për tërheqjen e 30 për qindëshit nga Trusti.
“Urime qytetarë të dashur! 4 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenime. Kalon Nisma Legjislative për Trustin në Komisionin Parlamentar për Buxhet Pune dhe Transfere”, shkruan Jashari në Facebook.
Më 15 korrik në Kuvendin e Kosovës janë dorëzuar 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura nga organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve të Trustit. /Telegrafi/