53 min
Çështja e liberalizimit të vizave sot është temë diskutimi në Grupin punues të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin Presidenca çeke e Bashkimit Evropian.
“Mund të konfirmoj se Presidenca çeke ka vendosur të vë në diskutim çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e Grupit punues të Këshillit Evropian. Kjo çështje diskutohet sot, më 13 tetor”, thuhet në deklaratën e Presidenca çeke për Telegrafin.
Diskutimi për Kosovën pritet të nisë nga ora 14:30.
Ditë më parë Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian dokumentin ku konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Po në këtë dokument thuhet se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Telegrafi merr vesh se sot mund të ketë konfirmim pro liberalizimit të vizave për Kosovën, rekomandim ky që më pas do të kalojë në shtetet anëtarët anëtare të BE-së për miratim. /Telegrafi/
Shkallët” deri te liberalizimi i vizave
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. Një rrugë e cila ka nisur 12 vite më parë ende nuk ka përfunduar.
Deri më tash nga 13 “shkallë” sa janë për të arritur liberalizmin e vizave Kosova ka arritur deri në të 4-tën, shkruan Telegrafi.
1. Korrik 2018: Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën
2. Gusht 2018: Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën
3. Shtator 2018: Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe
4. Shtator 2019: Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:
5. Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave
6. Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian
7. Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet
8. Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave
9. Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave
10. Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave
11. Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian
12. Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe
13. Liberalizimi hyn në fuqi.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
25 min
Peticioni për heqjen e vizave iniciuar nga Shchneeberger iu dërgua Macronit dhe liderëve të BE-së
Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë temë diskutimi të enjten më 13 tetor, në takimin e grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Shchneeberger ka thënë se i vlerëson të ulëta shanset që të vendoset diçka pozitive sa i përket liberalizimit në takimin e së enjtes.
Ajo muaj më parë kishte nisur mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online, ku kërkonte heqjen e vizave për Kosovën.
Lidhur me nënshkrimet e mbledhura, Shchneeberger tha për Telegrafin se ato i dërgoi te presidenti fracez, Emmanuel Macron, Presidenti i Parlamentit Evropian, Presidentit të Komisionit Evropian dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, por që nuk mori përgjigje.
“Deri më tani kam pasur vetëm një përgjigje nga Charles Michel duke thënë se ata e marrin parasysh këtë çështje. Ne e dimë mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, por më kot kam pritur një përgjigje nga Emmanuel Macron qysh në qershor. Peticioni i cili ka marrë 16,737 nënshkrime, padyshim që nuk ia vlen as të përgjigjet me email. Kjo është një shprehje mosrespekti”, ka thënë Shchneeberger për Telegrafin.