Kreu Financa Mblidhet Këshilli i Sigurisë, kryeministri tregon se çfarë u vendos

Mblidhet Këshilli i Sigurisë, kryeministri tregon se çfarë u vendos

nga Kontabilisti

Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Kosovë ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje urgjente. Edhe pse nga kjo mbledhje nuk janë dhënë detaje, kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar sot në pika të shkurtra për të.

Ai tha se mbrëmë kanë zhvilluar mbledhjen e këtij këshilli ku bashkë me ministrat e drejtuesit e institucioneve të sigurisë në vend kanë analizuar situatën e krijuar në Ukrainë.

“Kemi vlerësuar, analizuar e diskutuar për situatën aktuale dhe për masat që do të marrim në mënyrë që orientimi ynë evropian të jetë në nivelin dhe cilësinë e intensitetin më të lartë të mundur”, deklaroi Kurti, shkruan lajmi.net.

Poashtu Kurti tha sot se sulmi rus në Ukrainë, përbën agresionin e dytë më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë, për shkak se në këto çaste që ne ndodhemi këtu në konferencë në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak – jo vetëm në Evropë – që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kurti në një konferencë të mbajtur lidhur me reformën e administratës publike në Kosovë.

“Në këto çaste të trishta për Evropën, dhe jo vetëm, ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, ka thënë mes tjerash Kurti./Lajmi.net/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni