Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin përfundimtar për shpronësim të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit që preken nga realizimi i projektit për rrugën nacionale Kijevë-Zahaq, konkretisht në segmentin Kijevë-Dollc.
Lidhur me shpronësimin e pronave në këtë segment foli ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Për shpronësimin e pronave që janë prekur nga realizmi i projektit pas plotësimit të kushteve nga Ligji për shpronësim propozojmë që të nxirret vendim me të cilën miratohet vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronave dhe zotëruesve të interesit që preken nga ky projekt i rëndësishëm”, tha ai.
Pas miratimit në Qeveri, lidhur me këtë vendim ministri ka shkruar edhe në Facebook.
“Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë, të 188-tën me radhë, miratuam Vendimet për Shpronësimin e Pronave të Paluajtshme për realizimin e Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, segmenti Kijevë-Dollc.
Këto njëherit janë vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme (tokave) të pronarëve dhe të palëve të interesit, të cilët preken nga realizimi i këtij projekti, përkitazi Zona Kadastrale: Kijevë, Komuna e Malishevës dhe Zonat Kadastrale: Çabiq, Zabërgjë, Gllarevë, Dresnik, Gremnik dhe Dollc të Komunës së Klinës”, bën të ditur ministri.
Rruga Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, segmenti Kijevë-Dollc, është e ndarë në 4 lote, me gjatësi totale prej 12.8 km dhe me një buxhet të planifikuar prej 32 milionë euro.
“Jemi të përkushtuar plotësisht për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit të Dukagjinit”, shkruan ai. /Telegrafi/