Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se çështja e koeficientit për Ligjin e Pagave i cili pritet të hyjë në fuqi në fillim të muajit shkurt, nuk është duke u mbajtur fshehtë.
Murati përmes një konference për media ka thënë se vlera e koeficientit është duke u përllogaritur nga informatat që vijnë nga organizata të caktuara.
“Disa çështje i takojnë dikastereve të tjerë, ekipet po punojnë në aktet nënligjore. Edhe për koeficientin dhe tema tjera do të përditësohen. Koeficienti nuk është duke u mbajtur fshehur. Po përllogaritet ashtu siç vijnë informatat në organizatat buxhetore”, ka thënë Murati.
Ai po ashtu u pyet edhe për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit në vend nga reshjet e shiut.
Ministri Murati tha se janë disa mekanizma që janë duke e bërë vlerësimin, pasi siç u shpreh ai do të shqyrtohet mënyra dhe metodologjia e dëmeve të caktuara.
“Ka mekanizma të tjerë që e bëjnë vlerësimin. Dhe do të shqyrtohet mënyra dhe metodologjia për dëmet e shkaktuara”, tha ndër të tjera Murati. /Telegrafi/