Në mbledhjen e 214-të të Qeverisë, ndër të tjera, u miratuan 4 vendime të sponsorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve:
U miratua nisma për marrëveshjen e grantit me vlerë 9 milionë franga zvicerane nga Qeveria e Zvicrës për të financuar fazën e dytë të programit “Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë”, ku për fazën e parë të programit, kontributi i Qeverisë Zvicerane ka qenë 8.5 milionë euro, ndërsa kontributi deri në fund të këtij programi pritet të jetë 20 milionë franga zvicerane. Projekti parasheh mbrojtjen, arritjen e cilësisë si dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore në Kosovë.
U miratua raporti për të hyrat dhe shpenzimet buxhetore gjatë periudhës janar-qershor 2024. Sipas këtij raporti, pranimet përgjatë kësaj periudhe kishin vlerën 1 miliardë e 468 milionë euro apo mbi 137 milionë euro më shumë se në periudhën paraprake. Bilanci bruto i fondeve më 30 qershor 2024 arriti vlerën 577 milionë euro, pra kishte një rritje prej mbi 191 milionë euro krahasuar me gjendjen fillestare.
Ndërsa, shpenzimet për paga dhe shtesa gjatë periudhës raportuese paraqesin një rritje prej 19% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
U miratua vendimi për përbërjen e Komisionit për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të MFPT-së si dhe u zëvendësua një anëtar në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.