Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë sot të ditur se kanë nënshkruar kontratën për realizimin e projektit “Zgjerimi i rrugës në hyrje të Ferizajt”, një projekt ky i financuar nga BERZh me vlerë 16,4 milionë euro.
Aliu njoftoi punimet pritet të zgjasin një vit sipas planit dinamik.
“Pas një periudhe sfidash dhe ndërprerje të kontratës me kontraktorin e mëparshëm që u trashëgua nga 2019 nga qeveria e kaluar dhe që u tregua i papërgjegjshëm, këtë vit rifilluam procedurat e prokurimit dhe sot kemi nënshkruar kontratën me operatorin e ri për përfundimin e këtij projekti.
Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën e rrugës Nacionale N2, duke e zgjeruar atë në një rrugë me nga dy korsi në secilin drejtim, dhe do të kontribuoj në rritjen e sigurisë dhe lehtësisë së qarkullimit për qytetarët e Ferizajt dhe të gjithë rajoni”, tha ai. /Telegrafi/