Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes një postimi në Facebook.
“Me qëllim të zbatimit të zotimit për transparencë të plotë, në kuadër të MMPHI-së, në bashkëpunim me ASHI, kemi lansuar projektin lidhur me aplikimin dhe ndarjen e termineve për provimin teorik dhe praktik për patentë-shoferë”, ka shkruar Durmishi.
Ai tutje ka bërë të ditur se prej sot, përmes platformës së e-Kosova fletëpagesat mund të realizohen në mënyrë digjitale.
“Si Ministri jemi kujdesur që deri në finalizimin e plotë të digjitalizimit, të drejtën e aplikimit qytetarët e kanë edhe përmes zyrave në njësitë rajonale”.
Zëvendësministri ka thënë se ky projekt synon lehtësimin e procedurave të aplikimit për patentë-shofer për qytetarët e vendit.
“Ky është një hap tjetër i domosdoshëm e i rëndësishëm drejt digjitalizimit si reformë e rëndësishme për rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës”, ka përfunduar Durmishi.