Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në lidhje me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të likuidimit të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Banka Qendrore e Kosovës.
“Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur parasysh përcaktimet ligjore të nenit 76 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, që përcakton imunitetin e Bankës Qendrore ndaj caktimit të masës së përkohshme gjyqësore”, thuhet në komunikatë.
Prandaj, siç thuhet në komunikatë procesi i likuidimit të K.S “Kosova e Re” vazhdon në përputhje me vendimin e BQK-së për revokimin e licencës sipas përcaktimeve të dispozitave ligjore në fuqi.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) i kishte revokuar licencën kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”, pasi ndër vite kjo ndërmarrje ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës udhëzon të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë, që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga likuidatori dhe BQK-ja, lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Siguruesin në Likuidim “Kosova e Re”.
Me këtë rast, BQK-ja kishte vlerësuar se kompanitë e sigurimeve që operojnë në treg kanë shprehur gatishmërinë për të marrë përsipër të gjitha policat aktive të sigurimit të detyrueshëm të kompanisë “Kosova e Re”, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë të riblejnë policat e sigurimit. /Telegrafi/