Ministria e Shëndetësisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se procesi i vaksinimit kundër COVID-19 vazhdon edhe gjatë ditëve të fundjavës, si në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ashtu edhe në komunat e tjera të vendit, në lokacionet e caktuara nga drejtoritë komunale për shëndetësi sipas tabelës së bashkëngjitur.
Në njoftimin për media thuhet se në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – Salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19, e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar.
Po ashtu, vaksinimi në komuna gjatë dy ditëve të ardhshme bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-Kosova.
Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme, deri në ora 17:00 me vaksinën kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë të Kosovës.
MSh është e angazhuar që të sigurojë numër sa më të madh të vaksinave kundër COVID-19, ndërsa gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen, pritet ardhja edhe e kontingjenteve të tjera të vaksinave. /Telegrafi/