Në mbledhjen e 218-të të Qeverisë, u miratuan 5 vendime të sponzorizuara nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve:
U miratua vendimi për rritjen e pagës minimale e cila u vendos në nivelin 2 euro për orë pune e ku për punë me orar të rregullt, paga minimale bëhet 350 euro në muaj. Përveç rritjes së pagës minimale, janë larguar dallimet diskriminuese që ekzistonin më parë ku paga minimale ndryshonte sipas grupmoshës e ku tashmë me rritjen e re, paga minimale do të jetë e njëjtë për të gjithë punonjësit , pa marrë parasysh moshën. Nga kjo rritje përfitojnë mbi 150,000 punonjës në Kosovë.
U miratua nisma për negocimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet MFPT, KfW dhe KKMD për zgjerimin e Deponisë së Mbeturinave në Pejë, me vlerë prej 8.6 milionë euro. Ky projekt kontribuon në mbrojtjen e burimeve natyrore, përmirësimin e shëndetit publik dhe uljen e emetimeve të gazrave me efekt serrë.
U miratua nisma për negocimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet MFPT, KfW dhe KKMD me vlerë prej 1.87 milionë euro për të dixhitalizuar shërbimet dhe mundësuar përmirësimin e performancës dhe operacioneve ditore të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë.
U miratua kërkesa nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për transfer të brendshëm të mjeteve buxhetore në shumën prej 2.3 milionë me qëllim që të kryhen detyrimet për shpronësimin e pronave. Mjetet buxhetore merren në kuadër të MMPHI nga nën-programi “Departamenti i Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit” dhe transferohen në nën-programin “Zyra për Shpronësim” në kategorinë e shpenzimeve “Investime Kapitale”.
u kthyen mjetet që ishin transferuar nga AKP në llogarinë e Qeverisë në të kaluarën, me vlerë 106,088.20 euro për Ndërmarrjen Shoqërore “Theranda” që sipas AKP-së ka nevojë për kthim të mjeteve për mbulimin e kërkesave e që kthimi i mjeteve sipas kërkesave parashihet në legjislacionin në fuqi.