Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të martën që që shkoi, ndau shtatë milionë euro për punëtorët e sektorit publik dhe studentët.
Në këtë mënyrë ekzekutivi realizoi premtimin për ndarjen e shtesave prej 100 eurove për këto dy kategori, si pjesë e pakos për përballje me inflacionin.
Megjithatë, disa studentë u ankuan se në xhirollogaritë e tyre nuk janë transferuar këto mjete.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se Komisioni Zbatues është duke e vazhduar punën për verifikimin e aplikimeve të pranuara.
“Javën që lamë pas janë proceduar pagesat për grupin e parë të studentëve. Komisioni Zbatues është duke vazhduar punën për verifikimin e aplikimeve të pranuara”, ka thënë Kryeziu.
Aplikimi për studentët ka qenë i hapur 20 tetori deri më 6 nëntor, në platformën e-Kosova, përderisa të drejtë për të aplikuar kanë pasur të gjithë studentët që vijojnë studimet në universitetet dhe kolegjet e akredituara në vend.
Kujtojmë se deri më tani shtesat prej 100 eurove janë ndarë për pensionistët, kategoritë sociale dhe punëtorët e sektorit publik për muajin shtator dhe tetor me nga 50 euro.
Qeveria me Pakon e fundit ka paraparë ndarjen e shtesave direkte për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro të njëhershme. /Telegrafi/