Instituti për Studime në Edukim “EdGuard” ka publikuar një analizë të rritjes së pagave të punonjësve në arsimin parauniversitar sipas koeficientëve të Projektligjit të ri për Paga.
Në analizën nga EdGuard paraqitet një rritje mesatare prej 15%, për të gjithë pozitat në arsimin parauniversitar krahasuar me ligjin paraprak që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas këtij Instituti, parashihet rritje të mëtejme në pagë sipas vlerësimit të performances së mësimdhënësve.
“Pagat me rritje të kalkuluar sipas projekt ligjit për paga me koeficient 1-18, me vlerë të koeficientit prej 120 Euro. Pagat sipas ligjit paraprak të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese të kalkuluar me koeficient 1-10, me vlerë të koeficientit 239 Euro”, thuhet në publikimin e tyre.

Më 17 gusht, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ishte proceduar në konsultime paraprake Projektligji për Pagat në sektorin publik.
Sveçla kishte sqaruar se Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Projektligji aktualisht është në procedura të konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin paraprak për Pagat në sektorin publik.Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.Ligji për zyrtarët publikë pati hyrë në fuqi më 12 shtator të vitit 2019, por me 19 nëntor 2019, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.
Me këtë ligj rregullohet marrëdhënia juridike ndërmjet shtetit dhe zyrtarëve publikë. Zyrtarë publikë janë: nëpunësi i Shërbimit Civil (në tekstin në vijim: nëpunësi civil), nëpunësi i Shërbimit Publik, nëpunësi i Kabinetit, nëpunësi administrativ dhe mbështetës.