Kreu Financa Pergjigjet e pyetjeve të bëra shpesh per Pilotimi i Skemës së Asistencës Sociale

Pergjigjet e pyetjeve të bëra shpesh per Pilotimi i Skemës së Asistencës Sociale

nga Kontabilisti

Pyetje të bëra shpesh: Pilotimi i Skemës së Asistencës Sociale

1. Kush mund të përfitojë nga SAS Pilotimi?

▶️ Nga SAS pilotimi mund të përfitojnë familjet e varfra dhe në kushte të rënda ekonomike, si vazhdimësi e skemës së ndihmës sociale ekzistuese, veçse me dallimin që hiqen kriteret diskriminuese. ℹ️ Për të aplikuar, ju duhet të vizitoni platformën eKosova, përkatësisht vegëzën: https://ekosova.rks-gov.net/, ku tek “Shërbimet” zgjedhni opsionin “Familja” dhe pastaj formularin “Aplikimi në Pilotimin e Reformës për Asistencën Sociale” 👨‍👩‍👧‍👧.

2. Si bëhet testimi se kush kualifikohet për përfitim nga SAS pilotimi?

➡️ Pasi të bëhet aplikimi përmes platformës eKosova, aplikimi juaj kalon nëpër Test të Varfërisë që përfshin tri faza:

🔸testin e mjeteve financiare,

🔸testin e aseteve, dhe

🔸testin e mjeteve të përafërta.

🔹Testi i Mjeteve Financiare vlerëson nëse familja ka mesatarisht më pak se 100 euro për anëtar në muaj, duke marrë për bazë tre muajt e fundit. Nëse familja ka më pak se 100 euro për anëtar në muaj, atëherë konsiderohet se e ka kaluar Testin e Mjeteve Financiare dhe i nënshtrohet Testit të Aseteve.

🔹 Testi i Aseteve vlerëson nëse familja posedon prona me vlerë kumulative nën 100,000 euro. Nëse familja ka prona me vlerë kumulative nën 100,000 euro, atëherë konsiderohet se ka kaluar Testin e Aseteve dhe kalon në Testin e Mjeteve të Përafërta.

🔹Testi i Mjeteve të Përafërta bazohet në informata që japin indikacione mbi standardin jetësor të familjes. Nëse familja kalon edhe Testin e Mjeteve të Përafërta, atëherë do të vizitohet nga punëtorët socialë në kuadër të Qendrave për Punë Sociale.

4. Çfarë kalkulohet tek këto tri teste?

⬜️Tek Testi i Mjeteve financiare llogariten:

▫️të ardhurat e fituara nga punësimi, të ardhurat e fituara ndryshe (p.sh., të ardhurat nga shitja e pronës);

▫️të ardhurat e fituara nga qiraja;

▫️të ardhurat nga skemat e pensioneve;

▫️pensionet individuale të kursimeve dhe pensionet suplementare;

▫️të ardhurat nga grantet dhe subvencionet në nivel qendror dhe komunal;

▫️pagesa për pushimin e lehonisë;

▫️të ardhurat tjera.

🔴 Tek ky test nuk llogariten:

🔺pensionet e personave me aftesi të kufizuara;

🔺pagesat sipas Ligjit për mbështetje materiale për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara të përhershme;

🔺pensionet për paraplegjikët, tetraplegjikët dhe të verbërit;

🔺pagesat për strehim familjar;

🔺pagesat dhe shtesat e dhëna si pjesë e masave aktive të tregut të punës;

🔺mbështetja për subvencionimin e shërbimit të kujdesit për fëmijët.

Në kalkulimin e testit të aseteve përfshihen të gjitha objektet, tokat dhe pronat e paluajtshme që janë në emër të anëtarëve të familjes, ndërsa testi i Mjeteve të Përafërta bazohet në informacione si madhësia e familjes, niveli më i lartë arsimor midis anëtarëve të familjes mbi 18 vjeç, pronësia e automjeteve, qasja në internet, disponueshmëria e ujit të rrjedhshëm dhe të ngrohtë, numri i dhomave në banesë/shtëpi, telefonia, etj. Nëse familja kalon edhe Testin e Mjeteve të Përafërta, atëherë do të vizitohet nga punëtorët socialë në kuadër të Qendrave për Punë Sociale.

5. Si do të realizohen vizitat në terren nga QPS?

▶️ Përpara vizitës, familja do të kontaktohet nga zyrtarët e qendrës për punë sociale për të aranzhuar vizitën. Gjatë vizitës, punëtorët socialë i parashtrojnë disa pyetje familjes dhe bëjnë verifikimin në terren të përgjigjeve të tyre. Nëse pas njoftimit askush nga anëtarët e familjes nuk është në shtëpi atëherë vizita do të aranzhohet për një datë tjetër. Nëse, përsëri në vizitën e dytë askush nuk ndodhet në shtëpi, aplikanti do të konsiderohet se nuk e ka përfunduar procedurën e verifikimit. Pas realizimit të vizitës së zyrtarëve të QPS-ve, familjet do të lajmërohen për vendimin për refuzim apo aprovim përmes postës elektronike.

6. Si bëhet pagesa mujore për përfituesit nga SAS pilotimi?

Ngjashëm si me skemën aktuale sociale, pagesat 💶 bëhen në fund të çdo muaji në llogarinë bankare të aplikuesit. Aplikuesi duhet të ketë llogari bankare të hapur para aplikimit. Nëse asnjë nga anëtarët e familjes nuk ka llogari bankare të hapur, atëherë ndonjëri nga anëtarët duhet ta hapë atë paraprakisht.

7. Unë jam i regjistruar në skemën aktuale të SAS-it, a mund të aplikoj në SAS pilotim?

Familjet që përfitojnë nga skema ekzistuese do të vazhdojnë të pranojnë asistencën sociale, pasi skema aktuale e asistencës sociale vazhdon të zbatohet. Nëse familjet që marrin ndihmë sociale dëshirojnë të aplikojnë, ato mund të aplikojnë, por që nëse kualifikohen, atëherë largohen nga ndihma sociale ekzistuese, dhe kalojnë në skemën e pilotuar. Pra nuk mund të përfitojnë dy ndihma sociale, por vetëm njërën. Skema e pilotuar e ofron përparësinë që nëse dikush nga familja punësohet 💼, familja nuk përjashtohet me automatizëm nga ndihma sociale, por jepet mundësia e një faze tranzicioni.

8. Cilin numër të konsumatorit të energjisë elektrike duhet ta vendosi në formular?

Ju duhet ta vendosni numrin e konsumatorit të energjisë elektrike ⚡️ që e gjeni në faturën e energjisë elektrike. Nëse jetoni me qira, atëherë duhet të vendosni numrin e konsumatorit të qiradhënësit nëse energjia elektrike paguhet nga ai numër. Nëse dy familje shfrytëzoni të njëjtën orë të energjisë elektrike, atëherë mund të ofroni të njëjtat të dhëna për numrin e konsumatorit nëse jetoni në dy bashkësi familjare të ndara. ❗️Ju lutem të keni kujdes gjatë aplikimit pasi nëse vendosni numër të gabuar të konsumatorit të energjisë elektrike, sistemi nuk ju lejon që të riaplikoni.

9. Kush konsiderohen anëtarët që nuk mund të punojnë dhe anëtarët e aftë për punë?

Anëtarët që nuk mund të punojnë konsiderohen:

🔹Prindërit e vetëm të një fëmije nën moshën 18 vjeç;

🔹Personat me aftësi të kufizuara, të vlerësuar nga komisioni përkatës mjekësor si të paaftë për punë;

🔹Personat që kujdesen për një fëmijë me aftësi të kufizuara ose një anëtar të familjes me aftësi të kufizuara;

🔹Personat që janë në arsim të vazhdueshëm, deri në moshën 26 vjeç;

🔹Gratë gjatë shtatzënisë, deri në periudhën e përcaktuar në ligjin përkatës të punës për pushimin e lehonisë;

🔹Njëri nga prindërit që kujdeset për fëmijën deri në moshën 12 muajshe, personat nën moshën 18 vjeç ose mbi moshën 65 vjeç.

🟢Anëtarët e aftë për punë konsiderohen të gjithë personat mbi 18 vjeç që nuk bëjnë pjesë në njërën nga kategoritë e lartpërmendura.

Nëse ju jeni i aftë për punë dhe keni aplikuar për SAS pilotim, atëherë duhet të regjistroheni si punëkërkues në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës 🏢. Pasi të regjistroheni, gjatë një periudhe gjashtëmujore, do t’ju ofrohen mundësi për trajnim dhe punësim për anëtarët e aftë për punë. Zyrtarët përgjegjës do ju njoftojnë lidhur me mundësitë e punësimit, do të bëjnë përshtatjen si dhe do të njoftojnë anëtarin e aftë për punë lidhur me kushtet dhe përgjegjësitë e vendit të punës së ofruar.

9. Çfarë ndodh nëse jam përfitues nga pilotimi i ndihmës sociale dhe punësohem më pas?

Nëse ju punësoheni 🤝, asistenca sociale nuk ndalet menjëherë. Çdo muaj bëhet vlerësimi i të ardhurave të familjes 👨‍👩‍👦, duke u kalkuluar të ardhurat mesatare për anëtar të familjes për tre muajt e fundit. Nëse, si rezultat i punësimit, të ardhurat tuaja janë mbi nivelin prej 100 euro 💶 në muaj për anëtar për tre muajt e fundit, atëherë asistenca sociale e familjes suaj ripërshtatet për tre muajt pasues. Nëse punësimi juaj përfundon brenda tre muajve, mund të riaplikoni per pilotim. Gjithçka çfarë duhet të bëni është të aplikoni për të qenë pjesë e SAS pilotimit ku do të kaloni nëpër të gjitha verifikimet e nevojshme dhe nese kualifikoheni per perfitim do kaloni si përfitues.

10. Ku mund të gjej informacione shtesë lidhur me SAS pilotimin?

ℹ️ Informacione të detajuara për SAS Pilotimin mund të merrni në web-faqen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve si dhe faqet e facebookut të MFPT-së dhe projektit, në vegëzat në vijim:

✅https://www.facebook.com/MinistriaeFinancavehttps://www.facebook.com/profile.php?id=61553044553402

Nëse nuk keni mundësi të qaseni në informacionet online, atëherë ju mund të drejtoheni tek qendra më e afërt për punë sociale.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni