Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga masa “Mbështetja e Punësimit” në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Linku: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim/
Sipas ATK-së, subvencioni i pagës vlen për të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, për të punësuarit e formalizuar dhe mbështetja për punësimin e grave.
“Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike COVID-19, si dhe vendimet e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, gjegjësisht vendimet për subvencionim sipas masave 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë; 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar si dhe 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave, Administrata Tatimore e Kosovës, ka zhvilluar aplikacionin dhe tashmë të punësuarit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga këto masa”, thuhet në njoftim.
Të drejtë aplikimi kanë të gjithë të punësuarit e rinj, të cilët janë të deklaruar në ATK për periudhat nga muaji korrik 2021 e tutje.
Aplikimi bëhet përmes ueb-faqes së ATK-së dhe është i hapur deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00.
Pra, të punësuarit kanë mundësi të aplikojnë për të përfituar në këto masat:
• Masa 1.1 – Rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë – mbështetje për tre muaj nga 100 euro;
• Masa 1.2 – Mbështetja për të punësuarit e formalizuar – mbështetje për tre muaj nga 50 euro; dhe
• Masa 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave – mbështetje për tre muaj nga 50 euro.
Aplikacioni “Pako e Ringjalljes Ekonomike – Kërkesë për subvencionim të pagës” është në dispozicion të tatimpaguesve, gjegjësisht të punësuarve në ueb-faqen e ATK-së, te linku Shërbimet elektronike. /Telegrafi/