Qeveria e Kosovës në pesë vjetët e ardhshme do t’i rimbursojë qytetarëve rreth 120 milionë euro për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti. Megjithëse, u konstatua se vendimi i vitit të kaluar e ka ulë kredibilitetin e Fondit të Kursimeve Pensionale, likuiditeti financiar i fondit nuk është i rrezikuar.
Në raportimin e Bordit dhe drejtorit të Fondit të Kursimeve Pensionale sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, u tha se likuiditeti do të ishte lëkundur nëse nuk do të kishte rimbursim nga ana e shtetit.
Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, tha se tërheqja e 10 përqindëshit ka qenë shqetësim i tyre, pasi mund të krijohet precedent dhe të ulë kredibilitetin e Fondit Pensional.
“Lejimi i tërheqjes së 10 përqindëshit e ulë kredibilitetin e Fondit Pensional. Ne nuk kemi çka ta komentojmë. Ka qenë një nga brengat tona që i kemi shprehur, pasi precedentët janë të rrezikshme. Këto janë mjete pensionale të deleguara të merren me arritjen e moshës së pensionimit. Si të tilla nëse këto mjete preken herë pas here për arsye nga më të ndryshmet, gjithmonë konstatimi mund të ngrihet si i tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm me skemat pensionale”, tha Morina.
“200 milionëshi nuk është komplet që do të rimbursohet. Për rimbursime është deri 1000 euro të tërhequra, që i bien diku rreth 120 milionë euro”, tha Zalli.
Ky rimbursim, sipas kryesuesit të bordit e zvogëlon ndikimin tek likuiditeti.
“Sa i përket likuiditetit impakti i tij do të ishte më i madh nëse nuk do të ishte rimbursimi, kjo nuk e ka prekur likuiditetin e fondit si tërësi, por llogaritë individuale të secilit. Ligji e parasheh, por edhe qeveria aktuale e ka me vendim planin e rimbursimit. Ky impakt nuk do të jetë shumë i madh. Këto mjete do të rimbursohen. Realisht, kjo e zvogëlon ndikimin tek likuiditeti”, tha Morina.
Ish-kryeministri, tashmë deputeti Avdullah Hoti, duke mbrojtur vendimin për tërheqjen e 10 përqindëshit, tha se ndikimi për kosto oportune është i vogël dhe i papërfillshëm.“Prej 185 milionëve apo 200 milionë që janë tërhequr, rreth 120 milionë do të kompensohen në pesë vjetët e ardhshme. Nëse e marrim një rast hipotetik të themi dikush se i ka tërheq 800 euro dhe të themi se mosha e tij është 40-50 vjeç. Sa ndikohet pensioni i tij kur ai mbush 65-vjeç nga ky vendim që është marrë për tërheqje të mjeteve? Pasi në bazë të gjitha vlerësimeve që janë bërë kur është bërë ky vendim, personat që kanë tërhequr deri 1000 euro, ndikimi është aq i vogël sa është i papërfillshëm. Është me rëndësi që të kemi kujdes kur i klasifikojmë si kosto oportune të këtyre vendimeve”, tha ai.