Kreu Financa Qeveria Kurti, tregon se a do të bëhet rritja e pensioneve për veteran

Qeveria Kurti, tregon se a do të bëhet rritja e pensioneve për veteran

nga Kontabilisti

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk ka paraparë pension fiks për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pensioni që do të marrin ish-luftëtarët e UÇK-së do të varet nga disa faktorë të jashtëm, siç janë mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni.

Demokracia.com e ka siguruar draftin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e benificionit në lartësi të pagës minimale, ku nuk sqarohet nëse pensionet e veteranëve do të rriten në rast se rritet edhe paga minimale në Kosovë.Në bazë të këtij projektligji, pensioni i veteranëve të UÇK-së nuk do të jetë fiks, pasi që me ketë projektligj, Qeveria e ka lënë të hapur lëvizjen e benificionit në varësi të mundësive buxhetore, kostos së jetesës dhe inflacionit eventual.

Edhe pensioni i personave të verbër, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve do të varet drejtpërdrejt nga këta faktorë.

Në draft-projektligjin që e ka siguruar Demokracia.com thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për financa, vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual.

Sipas këtij projektligji, kjo do të bëhet deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së.

Kryeministri Kurti dje ka paralajmëruar rritjen e pagës minimale në Kosovë. Në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, sipas Kurtit, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.

“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale. Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pages minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike. Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi.”, ka shkruar Kurti.

Janë rreth 40 mijë veteranë të luftës së UÇK-së në Kosovë, që paguhen rregullisht çdo muaj dhe varen kryesisht prej buxhetit të vendit.

Sektori privat, ndër vite, nuk ka arritur të ndjekë trendin e rritjes së pagave, siç ka ndodhur në sektorin publik.

Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni