Kreu Financa Qeveria miraton Projektligjin për tatimet. kush do të përfitojë?

Qeveria miraton Projektligjin për tatimet. kush do të përfitojë?

nga Kontabilisti

Qeveria e Kosovës këtë të premte ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Sipas Qeverisë “qëllimi i këtij Ligji është të sigurojë progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësorë dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje për projekligjin e miratuar, i cili, sipas tij parasheh që tatimpaguesit të mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumë 100 euro, apo sa lartësia e faturës.

“Ligji parasheh edhe masa të tjera që lehtësojnë barrën e qytetarëve, por edhe sigurojnë menaxhim më efikas të tatimit në pronë”, ka shkruar Murati në Facebook..

Ai ka përmendur lirimet tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore; kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor; zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.

“Uroj që edhe Kuvendi i Republikës ta trajtojë sa më shpejt në të dyja leximet, në mënyrë që tatimpaguesit të përfitojnë nga zbritja tatimore”, ka shkruar Murati.

Qeveria pati premtuar që në Ligjin e ri do të përfshihet dispozita për zbritjen e tatimit në pronë deri në 100 euro për faturën e vitit 2023, pas shtrenjtimit që iu bë muaj më parë. /Telegrafi/

Ju gjithashtu mund të pëlqeni