𝐐𝐞𝐯𝐞𝐫𝐢𝐚 𝐧𝐝𝐚𝐧𝐞̈ 𝟐 𝐦𝐢𝐥𝐢𝐨𝐧𝐞̈ 𝐞𝐮𝐫𝐨 𝐩𝐞̈𝐫 𝐛𝐮𝐫𝐬𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐒𝐓𝐄𝐌 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐫𝐚𝐣𝐧𝐢𝐦𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐓𝐈
Prishtinë – 22 shtator 2021
Rritja e punësimit është një ndër prioritet kryesore të Qeverisë, e fitimi i aftësive të punës është kyç që të rinjtë e vendit të kenë qasje më të lehtë në tregun e punës. Për këtë arsye, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, sot në Mbledhjen e 36-të të Qeverisë, u ndanë 2 milionë euro për operacionalizimin e masës 1.5 – Trajnimi dhe Punësimi në TI, të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Përmes kësaj mase synohet mbështetja financiare e studentëve përmes bursave, si dhe aftësimi i të rinjve për punësim në fushën e Teknologjisë Informative. Përkatësisht, në zbatim të Masës 1.5 u ndanë një milion euro (1,000,000 €) për subvencionimin e bursave për vajzat në fushën e STEM-it (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, dhe Matematikë) dhe një milion euro (1,000,000 €) për trajnimin e të rinjve maturantë në fushën e TI-së.
Në linjë me Programin e Qeverisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është e angazhuar që të ndërmarrë hapat e nevojshëm që talentet e reja të orientohen në fusha me interes publik, e në të njëjtën kohë që kanë kërkesë të lartë në treg. Andaj, MFPT do të vazhdojë zhvillimin e politikave publike te cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në rritje të punësimit e ngritje të mirëqenies qytetare.