Kreu Financa Sot mblidhet Kuvendi. Çka duhet bërë që të mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti?

Sot mblidhet Kuvendi. Çka duhet bërë që të mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti?

nga Kontabilisti

Ekonomisti Muhamet Spahiu thotë që tërheqja e 20% të trustit pensional do të ndihmonte në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Tërheqja e parave të trustit vazhdon të jetë një opsion që po disktohet.

Shumë ekonomistë po e konsiderojnë zgjidhje për krizën aktuale në Kosovë.

Por, kështu nuk po mendon mazhoranca, e madje edhe po e kundërshtojnë një ide të tillë.

Shefja e deputetëve të LVV-së Mimoza Kusari- Lila, kategorikisht ka shprehur kundërshtinë për këtë, duke ftuar opozitën të diskutohen modalitete të tjera për të shmangur pasojat e krizës.

Megjithatë, ekonomisti Muhamet Spahiu insiston se një tërheqje nga Trusti Pensional do të ishte një ndihmë e madhe për qytetarët dhe për këtë bazohet edhe në tërheqjen e mëparshme.

E për një tërheqje të tillë, pavarësisht pajtimeve e kundërshtive, duhet ndjekur edhe disa hapa që kanë të bëjnë me ndryshimin e Ligjit për Fondin e Trustit Pensional.

Juristi Kushtrim Palushi tregon ecurinë e gjithë kësaj.

Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, qytetarëve iu mundësua të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti.

Gjatë asaj kohe u tërhoqën mbi 197 milionë euro.

Propozimi për tërheqjen e 30 përqindeshit nga Trusti Pensional tashmë ka shkuar në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu e ka treguar se propozimi është dërguar me 9 mars, ndërsa pritet të dërgohet për votim.

“Propozimin e kemi dërguar me 9 mars. Tash janë disa procedura për ndryshimin e projektligjit për Trustin, ku u mundësohet qytetarëve tërheqja e 20 deri 30 për qind e mjeteve të tyre. Pastaj pritet të dërgohet për votim në seancë”.

Kundër tërheqjeve të këtyre mjeteve janë deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa pro tërheqjes së mjeteve nga Trusit janë shprehur edhe qytetarët e vendit.

Ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës duhet të marrë së paku shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve, 61 vota, në mënyrë që të miratohet.

Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit, në afat prej dhjetë ditë pune, nga dita e miratimit dhe pastaj i njëjti i dërgohet Presidentit të Republikës për shpallje.

Pas nënshkrimit të presidentit të vendit, ligji hyn në fuqi dhjetë ditë pas shpalljes së Gazetën Zyrtare.

Ndryshe, vlera e investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, ka shënuar humbje rreth 90 milionë euro.

Humbjet kanë ardhur si pasojë e krizës në tregjet ndërkombëtare të shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë.

Nga Fondi i Kursimeve Pensionale, prej mbi 2.3 miliardë euro, 78 për qind e mjeteve janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare dhe rreth 22 për qind në Kosovë.

Fondi prej mbi 2.3 miliardë eurosh u takon mbi 700 mijë kontribut-paguesve të Kosovës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni