Të gjitha kategoritë e pensioneve në vend vazhdojnë të tatimohen nga shteti, ndër to edhe kontributet pensionale në Trust, edhe pse pak kush ka njohuri për këtë tatim. Pensionistët kontribut-pagues edhe pse i kanë paguar tatimet për paga, Ligji për Tatimin në paga obligon Administratën Tatimore të Kosovës që t’i tatimojë sërish pensionet. Normat e tatimit për pensione nga 4 deri 10 për qind janë konsideruar absurde dhe të pa pranueshme për njohësit e fushës.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj thotë për KosovaPress, se të gjitha pensionet, edhe ato që janë planifikuar nga Qeveria për tërheqjen e 10 përqind të kontributeve nga Trusti, para moshës së pensionimit do të tatimohen nga ATK-ja. “Sigurisht që edhe tani kur jemi në këtë fazë, në deklarimet e qeverisë, të cilët janë duke bërë përpjekje me qëllim që t’u mundësohet të punësuarve të cilët kanë kontribuar në fondin pensional të tërheqin shumën 10 përqind nga kontributet që kanë ndarë, ata në momentin që do t’i marrin mjetet do të tatimohen. Ne po flasim në përputhje me ligjin derisa nuk kemi ndonjë ndryshim të ndonjë dispozite juridike, e cila do të ndryshoj këtë proces. Por, aktualisht bazuar në ligjin aktual që është në fuqi, duhet të tatimiohen edhe ato të hyra të cilat i tërheqin nga Trusti në këtë rast kontributet prej 10 përqind”, thotë Murtezaj. Profesori i ekonomisë thotë po ashtu se është absurde që një pensionisti kur tërheq këstin e parë 20 përqind nga Trusti kur del në pension, që mund të jetë deri në 3 mijë euro t’i ndalen 10 përqind apo 300 euro.