Kreu Ekonomi Zyrtare: Qeveria miraton masat e reja anti-COVID

Zyrtare: Qeveria miraton masat e reja anti-COVID

nga Flamur Berisha

Nga e premtja do të hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID në Kosovë. Ato tashmë janë votuar në Qeveri të Kosovës, raporton Gazeta Express.

Qeveria e Kosovës i ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së COVID-19, të cilat janë prezantuar, të mërkurën, nga kryeministri Avdullah Hoti.

Me këto masa, varësisht se në cilat zona të rrezikshmërisë gjenden komunat e vendit, është e përcaktuar edhe karantina dhe puna e lejuar e gastronomisë.

Sipas masave që hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe 6 komuna të tjera të Kosovës, pas orës 19:00 do të ketë “orë policore”.

Kurse, aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën zonë të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna.

Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët. Komunat në “zonën e kuqe” janë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica e Jugut, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.

Këto komuna janë cilësuar me rrezik të lartë të infeksionit pasi kanë mbi 150 persona të infektuar në 100 000 banorë brenda javës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni