Lansohet Dritarja për Investime të Diasporës
Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, në bashkëpunim me USAID-in kanë nënshkruar sot marrëveshjen trepalëshe për lansimin e skemës së re garantuese, “Dritarja për Investime të Diasporës”.
Kjo iniciativë synon tërheqjen e investimeve nga diaspora dhe lehtësimin e qasjes në financa për bizneset e diasporës që janë të gatshme të investojnë në Kosovë.
Në fjalën e tij hapëse të këtij takimi, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati tha se Dritarja për Investime të Diasporës do të mundësojë rritjen e investimeve nga bashkatdhetarët. Ministri Murati përmendi se përmes kësaj dritareje mundësohet një fond rreth 100 milionë euro kreditimi për bizneset e diasporës.
Kryeministri Kurti theksoi se Dritarja për Investime të Diasporës u mundëson investitorëve të mërgatës të kthehen dhe investojnë në Kosovë duke i shndërruar ata nga investitorë pasivë që investojnë në instrumente financiare dhe tërthorazi mbështesin zhvillimin e vendit, në investitorë aktivë që investojnë drejtpërdrejtë në zhvillim e krijim të vendeve të reja të punës.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Amerikë, Z. Jeffrey Hovenier nga ana e tij theksoi se “Qeveria amerikane është krenare që ka ndihmuar në themelimin e këtij programi të ri, përmes mbështetjes financiare dhe teknike të USAID-it, sepse ne e kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora paraqesin. Shohim që kur ndërmarrësit nga diaspora kthehen në vend, ata sjellin më të mirën e botës në Kosovë”.
Që nga themelimi në vitin 2016, Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, vazhdon ti mbetet besnik misionit të vet, e që është lehtësimi i qasjes në financa, si faktor përcaktues në rritjen dhe prosperitetin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Këtë e tregon edhe nisma e sotme lansimit të skemës më të re garantuese Dritarja për Investime të Diasporës, përmendi Z. Besnik Berisha, Drejtor Menaxhues i FKGK-së.
Vlen të theksohet se fondet bazë për skemën garantuese, në vlerë prej 10 milionë eurosh, janë siguruar nga Qeveria e Kosovës (8 milionë euro) dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (2 milionë euro). Gjithashtu, USAID përmes projektit “Promovimi i Investimeve dhe Qasja në Financa” do të zbatojë një fushatë të gjerë promovuese dhe do të ofrojë grante për bizneset e kualifikuara, të cilat financohen përmes Dritares për Investime të Diasporës.