Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës shtesa edhe për punonjësit e sektorit privat.
Një ditë pasi u ekzekutuan mjetet shtesë për punonjësit publikë, të përfshirë në Pakon kundër inflacionit, përfaqësuesit e punonjësve privatë kanë kërkuar të njëjtin benefit nga shteti.
Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi përmes një komunikate për media ka thënë se punëtorët e sektorit privat në Kosovë janë kategori e grupit të tretë të njerëzimit.
“Nuk mund të vlerësohet ndryshe pos kështu, me shqetësim të madh e morëm lajmin e dhënë nga qeveria se vetëm punëtorët e sektorit publik të Kosovës duhet stimuluar me nga 50 e 100 euro për tre muaj radhazi, dhe në sektorin privat jo. Nëse dikush duhet stimuluar atëherë ata janë punëtorët e sektorit privat, ata janë më të varfër, ata janë me paga dyfish më të vogla, ata janë shumë më pak të mbrojtur nga ligji, ata më së shumti financojnë për buxhetin e shtetit”, thuhet në komunikatë.
Kjo sindikatë njofton se i është drejtuar edhe përmes një letre, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, që t’i heqin kushtëzimet për kompanitë private.
Qeveria e Kosovës në masat për ta luftuar inflacionin, ka ndihmuar punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro për tre muaj rresht.
Nga 100 euro u janë ndarë pensionistëve, ndërsa nga 100 euro u janë premtuar edhe studentëve dhe punonjësve të ndërmarrjeve publike./buletiniekonomik/