Anëtarët e Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian të enjten i thanë po liberalizimit të vizave për Kosovën, saktësisht marrëveshje tripalëshe që është arritur në dhjetor të 2022-së ndërmjet Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.
Kjo marrëveshja tripalëshe për liberalizimin e vizave për Kosovën është aprovuar me 48 vota për, 7 kundër dhe 3 abstenime nga anëtarët e Komitetit të PE-së, raporton Telegrafi.
Në njoftimin e këtij komiteti bëhet e ditur se radha i takon tashmë Parlamentit Evropian për të votuar për këtë çështje.
“Më pas, Parlamenti Evropian në seancën plenare do të votojë për këtë çështje”, bëhet e ditur në postimin e Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian.
Raportuesi i PE-së për Kosovën: Qytetarët e Kosovës një hap më afër për udhëtimin e shumëpritur pa viza
I menjëhershëm ishte reagimi i raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, eurodeputeti holandez, Thijs Reuten pasi Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Reuten ka thënë se qytetarët e Kosovës tanimë janë një hap më afër për të udhëtuar pa viza.
“Një hap më afër! Për udhëtimin e shumëpritur pa viza për Kosovën”, ka shkruar Reuten të enjten në Twitter.
Zëvendëskryeministri Bislimi: Hap i rëndësishëm, më pas votimi në seancën e PE-së dhe në Këshillin e Ministrave të BE-së
Pasi anëtarët e Komitetit të PE-së kanë votuar pro liberalizimit të vizave, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi.
“Edhe një hap tjetër i rëndësishëm u përfundua sot rreth çështjes së liberalizimit të vizave. Në takimin e anëtarëve të Komitetit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian, u votua pozitivisht mbi liberalizimin e vizave për Kosovën”, shkruan Bislimi në Facebook.
Ai bëri të ditur se hapi i radhës do të jetë votimi në seancën plenare në Parlamentin Evropian dhe më tej votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së, para hyrjes në fuqi.
“Përshëndesim votimin pozitiv të sotëm dhe mirëpresim finalizimin e hapave të ardhshëm, deri në përfundimin e procedurave të nevojshme për nisjen e lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian”, shkruan ai.
Ndryshe, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së gjatë takimit në Bruksel në dhjetor kanë miratuar marrëveshjen e arritur më parë mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Tani pasi marrëveshja është votuar në Komisionin për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështje të brendshme (LIBE), çështja e liberalizimit të vizave do të shkojë për votim në seancën e Parlamentit Evropian.
Më pas do të konfirmohet edhe nga Këshilli i BE-së.
Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre procedurave, qytetarët do të mund të udhëtojnë drejt BE-së më së largu më 1 janar 2024.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë. /Telegrafi/