Ligji për paga këtë të premte është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit.
Lajmin për Telegrafin e konfirmuan burime brenda institucionit të Avokatit të Popullit, ndërsa mësohet se janë mbi 100 ankesa që janë adresuar te Avokati i Popullit për Ligjin e pagave.
Ndryshe, më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka miratuar koeficientin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, në vlerë prej 105 eurosh.
Ligji i Pagave rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorë të sektorit publik. Megjithatë, ka pasur pakënaqësi te disa sektorë.
Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18.
Javë më parë Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kanë filluar punën në korrigjimin e mospërputhjeve eventuale ndërmjet klasifikimeve që kanë qenë duke u zbatuar në sistemin e vjetër dhe në sistemin e ri të Ligjit për Pagat. /Telegrafi/