Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten vonë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili do t’ua njohë mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.
Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e 27 korrikut.
Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.
Më herët gjatë ditës, Kuvendi e miratoi në lexim të parë këtë projektligjin, me të cilin është krijuar edhe një skemë e re e quajtur “skema e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës.”
Në këtë skemë janë futur të gjithë qytetarët të cilët janë larguar nga puna në vitet e ’90, e të cilëve nuk u është njohur kontributi, dhe si pasojë, nuk e kanë plotësuar kriterin prej 15 vjetësh stazh, për të përfituar nga pensioni kontribut-pagues.
Kuvendi ka miratuar sot në lexim të dytë plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Pronën e Paluajtshme dhe Projektligjin për Skemat Pensionale.
Ligji i ri për Tatimin në Pronën e Paluajtshme parasheh:
mundësinë për të përfituar nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në 100 euro;
lirime tatimore për banimin primar dhe tokën bujqësore;
kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor;
zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024; dhe
fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025.
Ligji i ri për Skemat Pensionale parasheh që pensionistëve t’u llogaritet periudha nga koha kur janë larguar nga puna e deri më 1 janar 1999, drejt plotësimi të kushtit prej 15 vitesh .
Miratimi i këtij projektligji i hap rrugë reformës pensionale në vend, duke krijuar një sistem pensional solidar e të barabartë , i cili garanton pensione stabile e kujdeset për pensionistët.