Kreu Financa Hapet thirrja për mbështetjen e familjeve dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme

Hapet thirrja për mbështetjen e familjeve dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme

nga Kontabilisti

Është shpallur thirrja për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investim në sisteme të energjisë së ripërtëritshme – sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum, të financuara nga Bashkimi Evropian (BE).

Masat janë prezantuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi.

Duke folur për shpalljen e masave, Kryeministri Albin Kurti theksoi se sot po lansojmë masat më të reja të subvencionit në sektorin e energjisë për bizneset e familjet, të cilët dëshirojnë të bëhen vetë-konsumatorë, e të prodhojnë një pjesë të energjisë që ata përdorin, nëpërmjet energjisë së pastër të diellit.

“Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që ulim barrën për sistemin tonë, por edhe i fuqizojmë familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përballueshme”, theksoi Kryeministri Kurti.

Ai po ashtu shtoi se kjo nuk është masa e parë, por është vetëm njëra ndër një morie sosh, të cilat janë lansuar gjatë këtyre gati tre vjet qeverisje, që për qëllim kanë pasur uljen e konsumit dhe rritjen e efiçiencës së energjisë, e që është mirë si për amvisëritë ashtu edhe për sistemin tonë energjetik, në të cilat skema kanë aplikuar dhe po subvencionohen mbi 20 mijë qytetarë e biznese mikro, të vogla e të mesme.

Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se përfitimet që qytetarët, bizneset, vendi ynë dhe ambienti kanë nga investime të tilla janë të shumëfishta, duke filluar nga rritja e efiçiencës së energjisë, që studimet tregojnë që janë të ndërlidhura me këto investime, në uljen e ndotjes dhe uljen e faturave të energjisë.

Ministrja Rizvanolli po ashtu shtoi se kjo që po bëjnë sot është një hap dhe materializim i objektivit që është në Strategjinë e Energjisë, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës në mars të vitit të kaluar, për të cilën është punuar që nga dita e parë e qeverisjes.

“Një aspekt tjetër që më bën shumë të lumtur është që nga kriza e dimrit të vitit 2021-2022 kemi qenë duke menduar intenzivisht, se cilët janë hapat që duhet me i ndërmarrë për ta lehtësuar krizën për qytetarët dhe bizneset. Për këtë kemi kërkuar ndihmë nga BE-ja dhe kemi qenë me fat që Bashkimi Evropian na ka ndihmuar me një pako prej 75 milionë euro, që ka qenë me e larta për kokë banori për gjitha vendet e rajonit”, tha mes tjerash Ministrja Rizvanolli.

Kurse, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se lansimi i këtyre masave është i mirëseardhur për zhvillimin e industrisë së vendit dhe u bëri thirrje bizneseve ta shfrytëzojnë këtë mundësi që kontribuon në uljen e kostos për energji.

“Lansimi i këtyre masave dhe masave tjera paraprake përmes mbështetjes nga Ministria e Ekonomisë dhe Bashkimi Evropian, është i mirëpritur jo vetëm për amvisëritë, por edhe për zhvillimin e mëtejmë të industrisë vendore. Për këtë arsyer ju bëj thirrje bizneseve në veçanti që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila kontribuon për shpalosjen e potencialit tuaj të mëtejmë, në uljen e kostos suaj për energji, por edhe në buxhetin e Republikës së Kosovës”, tha Hajdari.

Alessandro Bianciardi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi se thirrja e masave që është shpallur sot për familje dhe për biznese për sisteme fotovoltakie, është pjesë e pakos energjetike në vlerë prej 75 milionë euro që Bashkimi Evropian e ka ndarë për Kosovën.

Gjatë shpalosjes së masave për sistemin fotovoltaik, u bë e ditur se së shpejti do të hapet thirrja publike për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në investim në sisteme të energjisë së ripërtëritshme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit.

Ndryshe, për konsumatorët familjarë vlera e subvencionit për instalimin e sistemeve të energjisë së ripërtëritshme – sistemi fotovoltaik është 250 €/kWp deri në 1750.00 € dhe subvencionohet vetëm një sistem fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum për një (1) shtëpi dhe sistemi duhet të blihet i ri.

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/…/Thirrje-publike-Per…

Ndërsa, në instalimin e sistemit fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, vlera e subvencionit për kapacitetet instaluese 3-9 kWp, do të jetë 250 €/kWp deri në 2000.00 €.

Për kapacitetet instaluese 10 kWp ose më shumë do të jetë 200 €/kWp deri në 6000.00 €.

Për bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave nga pesëdhjetë e një përqind (51%) do të subvencionohen 200 € shtesë.

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/…/NMVM-THIRRJE-PUBLIKE-Instalimi…

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është deri më datën 31 maj 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri më datën 30 shtator 2024.

Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: info.subvencionet@rks-gov.net

Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni