Ministria e Kulturës të premten ka bërë të ditur 269 përfituesit e mbështetjes financiare për projekte kulturore-artistike për thirrjen publike që ishte hapur fiks para një muaji. Pavarësisht se nuk është bërë e ditur shuma e ndarë dhe nëse është shpërndarë i tërë buxheti prej 461 mijë eurosh në dispozicion për ta mëkëmbur kulturën e goditur nga pandemia, i bie që mesatarisht të jenë rreth 1700 euro për projektet fituese
Ndonëse me një buxhet që as nuk u avitet kërkesave të komunitetit artistik, Ministria e Kulturës ka zgjidhur “qesen” për t’i mbështetur financiarisht projektet kulturore-artistike nga Fondi i rimëkëmbjes ekonomike. Të premten, institucioni më i lartë kulturor në vend ka shpallur listën e përfituesve nga ky fond për fazën e parë.
“MKRS shpall përfituesit nga thirrja publike për ofrimin e mbështetjes financiare për projektet kulturore-artistike për individë nga Fondi i rimëkëmbjes ekonomike (faza e parë). Grupet vlerësuese nëpër komisione janë duke punuar në vlerësimin e aplikimeve të tjera”, thuhet në njoftimin e afishuar në faqen e MKRS-së, të cilit i është bashkëngjitur një listë 9-faqëshe me emrat e përfituesve dhe projekteve përkatëse.
Nga 650 individë sa kishin aplikuar në thirrjen e hapur në nëntor, 269 prej tyre u është dhënë drita e gjelbër e mbështetjes për fazën e parë në dhjetë fusha të ndryshme. Fiks 4.5 milionë euro ka peshuar kërkesa e tyre.